ZRrE kishte zbatuar metodë që nuk parashihej me rregullativën ligjore për përshtatjen e inflacionit në tarifat nxitëse të BRE-ve. Vetëm në vitin 2023, nga kjo konsumatorët e rrymës u dëmtuan mbi gjysmë milioni euro.
Zbatimi i një metode të gabuar dhe që nuk parashihej me rregullativën ligjore dëmtoi konsumatorët e rrymës në Kosovë mbi gjysmë milioni euro vetëm në vitin 2023. Fjala është për metodën për përshtatjen e inflacionit në tarifat nxitëse për prodhuesit nga energjia e ripërtëritshme (BRE).
Auditori gjeti se Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) zbatoi metodë që nuk parashihej me rregullativën ligjore.
Me Rregullën për Skemën Mbështetëse, për të gjithë prodhuesit si pjesë e skemës mbështetëse, ZRrE duhet ta bëjë përshtatjen e inflacionit në tarifat nxitëse. Këta prodhues e kanë të garantuar shitjen e energjisë me çmim të favorshëm në KOSTT.
Në vitin 2016, ZRrE kishte miratuar tarifat nxitëse për prodhuesit e energjisë së ripërtëritshme. Atyre iu garantua çmimi i shitjes në KOSTT me ‘tarifa nxitëse’. Ideja ishte nxitja e investimeve nga energjia e ripërtëritshme.
Kështu, prodhuesve me solare iu garantua çmimi prej 136.40 euro, atyre nga era çmimi 85.00 euro, dhe për hidrocentralet e vogla 67.47 euro. Nga viti 2016 deri më tani, për shkak se ZRrE e ka përshtatur inflacionin, këto tarifa kanë pësuar rritje të ndjeshme. Kështu tarifa për energjinë nga solaret ka arritur në 164.23 euro, nga era 96.86 euro, te hidrocentralet 79.34 euro.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në një raport për Fondin e BRE-ve, ngre dyshime se konsumatorët e rrymës u dëmtuan nga metoda që ZRrE e përdori për përshtatjen e inflacionit në tarifat nxitëse.
Në përgjithësi, ekzistojnë dy metoda për përshtatjen e inflacionit: metoda vjetore dhe metoda kumulative.
Me rregulloren e ZRrE-së parashihet zbatimi i metodës vjetore me rastin e përshtatjes se inflacionit në tarifat nxitëse për prodhuesit e energjisë së ripërtëritshme.
“Norma e inflacionit do të përcaktohet nga norma e ndryshimit gjatë 12 muajve të fundit, në nivelin e “Çmimeve të produktit industrial të brendshëm – mallrave kapitale NACE Rev2”, thuhet në nenin 9, pika 2 të kësaj rregullore.
Mirëpo, nga viti 2017 deri në vitin 2022, ZRrE kishte zbatuar metodën kumulative në kundërshtim me këtë rregullore. Metoda kumulative funksionon me një vit bazë dhe e përshtat inflacionin si një proces kumulativ, duke rritur për secilin vit bazën. Për BRE-të, ZRrE kishte përdorur si vit bazë, vitin 2015.
Ndryshe nga metoda kumulative, metoda vjetore e llogarit vetëm ndryshimin e inflacionit për vitin aktual, pa bartur rritjet e viteve të kaluara. Metoda vjetore nuk ka vit bazë.
Nga të gjithë ekspertët e tarifave që ka konsultuar Buletini Ekonomik, thonë se metoda vjetore është më e saktë, derisa metoda kumulative, sipas tyre, rrit rrezikun për rritje jo reale të tarifave për konsumatorët e rrymës. Kjo për faktin se metoda kumulative funksionon me një vit bazë, duke rritur për secilin vit bazën, mbi të cilin përshtatet inflacioni.
Auditori nuk ka dhënë sqarime nëse konsumatorët e rrymës u dëmtuan nga viti 2017 deri në vitin 2022 nga përdorimi i kësaj metode.
Të vetmin dëm që ka përmendur Auditori është fakti se fillimi i zbatimit të metodës vjetore në vitin 2022, krijoi kosto shtesë për konsumatorët, pasi u zbatua retroaktivisht. Nga kjo dëmi për konsumatorët shkoi mbi gjysmë milioni euro në vitin 2023.
“Për këtë gjë nuk kishte pasur ndonjë vendim të veçantë të nxjerrë nga ZRRE, por nëpërmjet takimeve dhe pastaj nëpërmjet një kërkese të bërë me e-mail, kishin kërkuar nga KOSTT që të bëhen korrigjimet e inflacionit. Duke kërkuar që të realizohen pagesat për këto korrigjime të inflacionit. Si pasojë e kësaj KOSTT kishte pas shpenzime shtesë nga Fondi për korrigjim të inflacionit në vlerë prej 520 mijë euro. Këto mjete ishin kthyer mbrapa tek gjeneratorët në emër të korrigjimit të inflacionit”, vlerë son ZKA.
Auditori po ashtu gjeti paqartësi në shpjegimet e ZRrE-së lidhur me këtë ndryshim. Sipas ZRrE-së, arsyeja pse e kanë ndryshuar formën e kalkulimit të indeksit të inflacionit është se një gjë e tillë është konfirmuar me Eurostat. Mirëpo Auditori gjeti se ky pohim nga ZRrE nuk qëndron.
“Nga komunikimi që ZRRE kanë zhvilluar me Eurostat lidhur me këtë çështje kemi vërejtur se ka vetëm një shpjegim se si funksionojnë indekset e inflacionit, por Eurostat nuk ishte dhënë rekomandim që të përdoret kjo metodologji e kalkulimit të indeksit të inflacionit për çmimet e tarifave nxitëse”, vlerëson Auditori.
Ndërsa se ishte përdorur metodë e gabuar e konfirmon edhe ZRrE në përgjigjet e dhëna për Auditorin. Madje ky institucion që ka mandat mbikëqyrës për sektorin e energjisë, ka lënë të kuptohet se metoda kumulative ka edhe pasaktësi.
“Fillimisht është përdorur metoda kumulative me vit bazë 2015, por për shkak të kufizimeve praktike dhe për të reflektuar më drejt ndikimin real të inflacionit mbi të hyrat e operatorëve, ZRRE ka kaluar në metodën e përllogaritjes vjetore, ku për çdo vit merret ndryshimi i indeksit nga viti paraprak. Kjo metodë është më e përshtatshme për qëllime tarifore, duke reflektuar ndryshimet reale të vitit fiskal përkatës”, vlerëson ZRrE.
/Buletini Ekonomik



