Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka bërë të ditur se është përfshirë si partner kryesor në projektin ndërkombëtar “Kosovo Energy Project”, një investim i rëndësishëm prej mbi 8 milionë eurosh, i financuar nga Gjermania dhe Danimarka. Projekti do të zbatohet deri në vitin 2028 dhe synon përshpejtimin e tranzicionit të gjelbër në nivel komunal, si dhe fuqizimin e kapaciteteve lokale për energji të pastër dhe eficiencë energjetike.
Sipas njoftimit të AKK-së, ky projekt do të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. Një nga komponentët qendrorë është hartimi dhe zbatimi i MECAP-ve, plane të avancuara për energjinë dhe klimën, të cilat do të realizohen me asistencë teknike profesionale dhe me përdorimin e softuerëve bashkëkohorë. Këto dokumente pritet të shërbejnë si udhërrëfyes për qeverisjen lokale në përmbushjen e standardeve evropiane të tranzicionit të qëndrueshëm energjetik.
Në kuadër të projektit, stafi komunal do të përfitojë trajnime të specializuara për standardet e eficiencës së energjisë, duke përfshirë qasjet moderne të menaxhimit të ndërtesave publike, shfrytëzimin e teknologjive të gjelbra dhe përdorimin e energjisë së ripërtëritshme. Përveç ngritjes së kapaciteteve, projekti parasheh edhe mekanizma të rinj financiarë për investime konkrete në ndërtesa publike dhe objekte kolektive, në bashkëpunim me Fondin Kosovar për Eficiencën e Energjisë (KEEF).
Një shtyllë tjetër e rëndësishme e projektit është integrimi i teknologjive solare dhe masave inovative të eficiencës energjetike në infrastrukturën komunale. Kjo pritet të kontribuojë në uljen e kostove të energjisë për komunat, në reduktimin e ndotjes dhe në promovimin e një mjedisi më të pastër për qytetarët.
Pjesë e projektit është edhe nxitja e përfshirjes së grave në sektorin e energjisë, përmes programeve të trajnimit dhe praktikave profesionale. Kjo përputhet me politikat e BE-së dhe partnerëve zhvillimorë për fuqizimin e rolit të grave në sektorët strategjikë.
AKK-ja do të ketë rol kyç në koordinimin e aktiviteteve, mbështetjen teknike dhe shkëmbimin e përvojave ndërmjet komunave pjesëmarrëse. Në njoftimin e saj, Asociacioni e vlerëson projektin si një hap të rëndësishëm drejt komunave më të qëndrueshme, me energji më të pastër dhe me kosto më të ulëta operative.
“Ky projekt përfaqëson një mundësi madhore për transformimin e sektorit të energjisë në nivel lokal dhe për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve”, thuhet ndër të tjera në reagimin e AKK-së.



