Ministri turk i Energjisë, Alparslan Bayraktar, njoftoi se Ankaraja po zhvillon negociata me kompaninë amerikane TerraPower – të themeluar nga Bill Gates, për ndërtimin e reaktorëve të vegjël modularë bërthamorë (SMR). Sipas tij, Turqia synon të krijojë kapacitete minimale prej 5.000 megavat energji bërthamore deri në vitin 2050, si pjesë e strategjisë për diversifikimin e burimeve të energjisë.
“Jemi në bisedime me TerraPower për ndërtimin e centraleve të vegjël bërthamorë. Qëllimi ynë është të arrijmë të paktën 5.000 MW kapacitet deri në vitin 2050,” deklaroi Bayraktar.
Çfarë është TerraPower?
TerraPower është një kompani amerikane e specializuar në projektimin dhe zhvillimin e reaktorëve bërthamorë, me qendër në Bellevue, Washington. Ajo punon në zhvillimin e reaktorëve të avancuar të gjeneratës së re, duke përfshirë reaktorët e shpejtë.
Bill Gates është themeluesi dhe kryetari i bordit të kompanisë, por TerraPower mbështetet edhe nga investitorë të tjerë të mëdhenj, si SK Group i Koresë së Jugut, NVentures – krahu investues i NVIDIA-s, HD Hyundai, si dhe Departamenti Amerikan i Energjisë nëpërmjet programeve për zhvillimin e reaktorëve të avancuar.
Projekti i ri shihet nga Turqia si një hap i rëndësishëm drejt rritjes së sigurisë energjetike dhe zvogëlimit të varësisë nga importet.



