Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se nuk mund ta aprovojnë kërkesën për pagën e 13-të për punëtorët e saj pasi një projekt ka ndikuar drejpërdrejt në të hyrat e Korporatës.
Sipas njoftimit, bëhet fjalë për projektin e modernizimit të turbinave që ka zgjatur rreth pesë muaj.
Kurse, mbrëmjen e datës 11.12.2025, bordi i drejtorëve, menaxhmenti i lartë i KEK-ut, është takuar me përfaqësuesit e Sindikatës së Re të KEK-ut.
“Gjatë takimit, përfaqësuesit sindikal u informuan se Bordi dhe Menaxhmenti mbeten plotësisht të gatshëm dhe të përkushtuar për të trajtuar të gjitha kërkesat e paraqitura nga punonjësit.” – thuhet në njoftim më 12.12.2025.
E përfaqësuesit sindikalë kanë kërkuar që punonjësit të njoftohen në mënyrë më të detajuar lidhur me situatën reale financiare dhe operative të korporatës.
“Në këtë drejtim, u theksua se, përveç sigurimit shëndetësor dhe shujtës së dinjitetshme, së shpejti do të përfundojë edhe procesi i vlerësimit të rrezikshmërisë në punë — një proces me kosto të konsiderueshme, nga i cili do të përfitojnë të gjithë punonjësit sipas vlerësimit të vendit të punës” – ka theksuar KEK-u.
Korporata bashkë me bordin dhe menaxhmentin e saj kanë rekomanduar që dialogu social të vazhdojë si mekanizmi i vetëm i qëndrueshëm dhe efektiv për adresimin dhe zgjidhjen e kërkesave të punonjësve.
Gjatë ditës, më 12.12.2025, punëtorët e KEK-ut protestuan para zyreve të Korporatës në Prishtinë me thirrjet: “Punëtorët e rrezikuar në punë, por rrezikshmëria nuk paguhet”, “Duam ngritjen e pagave, dhe ne duam jetën”, “Menaxhment respekto ligjin e punës, paguaj vikendet për punëtorët me ndërrime”.
Nexhat Llumnica, kryetari i Sindikatës së Re KEK, në emër të punëtorëve ka kërkuar edhe pagën e 13-të për të cilën tha se askush më shumë se ata nuk e meritojnë, duke theksuar se ata janë drita e Kosovës dhe zhvillimit ekonomik të këtij vendi.
Ai madje ka thënë se po luhet me djersën e punëtorëve.
“Kush më shumë se na meriton pagën e 13-të. Derisa kërkesa për rritje të pagës është e kamotshme, paga nuk është rritur… Ne sot jemi këtu duke dëgjuar premtime për gjithë sektorin publik që paguhen nga taksapaguesit e Kosovës, nga djersa jonë, që e marrin pagën e 13-të e mos t’ia japësh punëtorit të KEK pagën e 13-të është më shumë se e turpshme. Sot e shprehim pakënaqësinë në këtë formë, por kaq të qetë nuk do të jemi herë të tjera. Tekefundit kompania nuk është e këtyre këtu, por e punëtorëve të KEK-ut dhe gjithë Kosovës. Derisa ne jemi drita e Kosovës, jemi aseti kryesor i Kosovës për shkak se pa neve nuk ka zhvillim ekonomik, s’ka buxhet 3-4 miliardë euro… djersa jonë po keqpërdoret”- ka deklaruar Llumnica.


