Home / Lajme / Rajoni / Ndërlidhja energjetike në Ballkan: Fillon ndërtimi i linjës Manastir-Ohër-Shqipëri

Ndërlidhja energjetike në Ballkan: Fillon ndërtimi i linjës Manastir-Ohër-Shqipëri

Një konsorcium i udhëhequr nga kontraktori kroat Dalekovod ka nënshkruar një kontratë prej 19.7 milionë eurosh me operatorin shtetëror të sistemit të transmetimit të energjisë elektrike të Maqedonisë së Veriut (MEPSO) për të ndërtuar një pjesë të konsiderueshme të rrjetit elektrik të vendit, sipas mediave lokale.

Marrëveshja me MEPSO mbulon ndërtimin dhe instalimin e një linje të re transmetimi 400 kV që lidh Manastirin, Resenin dhe Ohrin me kufirin perëndimor të vendit me Shqipërinë. Linja është një pjesë kyçe e një plani më të gjerë për përmirësimin e infrastrukturës që synon rritjen e kapacitetit të transmetimit vendas dhe forcimin e ndërlidhjes rajonale.

Sipas MEPSO-s, projekti është pjesë e korridorit energjetik Manastir-Ohër-Shqipëri, i cili do t’i lejojë Maqedonisë së Veriut të integrohet më efektivisht në tregun evropian të energjisë elektrike dhe të përmirësojë stabilitetin e rrjedhave ndërkufitare të energjisë elektrike. Pasi të përfundojë, linja pritet të forcojë aftësinë e vendit për të menaxhuar luhatjet e ofertës dhe kërkesës, veçanërisht gjatë periudhave të pikut.

Ndërkaq, pjesa shqiptare e kwsaj linje interkoneksioni është në fazë më të avancuar, pasi punimet kanë nisur në dhjetor të vitit 2023. Projekti përfshin ndërtimin e linjës së re të transmetimit 400 kV ndërmjet Elbasanit dhe Qafë – Thanës, ndërtimin e linjës së transmetimit 400 kV mes Elbasanit dhe Fierit, ndërtimin e nënstacionit 400 kV Elbasan 3 dhe zgjerimin e nënstacionit Fier, i ndarë në 2 kontrata zbatimi.

Kostot totale e tij ka një vlerë prej 70,131,000 Euro dhe financohet nga Qeveria Gjermane nëpërmjet bankës KfW, nga Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) dhe OST. Më konkretisht 50 mln euro janë kredi e dhënë nga KfW, 14 mln euro grant i WBIF, 1.131 mln euro janë grant nga WBIF dhe Bashkëpunimi Gjerman – Shqiptar për Zhvillim dhe 5 mln Euro nga OST.

Sipas Operatorit të Sistemit të Transmetimit me vënien në operim të linjës 400kV Shqipëri-Maqedoni e Veriut, kapaciteti total ndërkufitar i sistemit të transmetimit shqiptar me vendet fqinje do të rritet në 1500 MW.

Po ashtu, duke qenë pjesë e infrastrukturës për Korridorin e 8-të Evropian, ky projekt do të krijojë mundësi për lidhjen me rrjetin italian përmes linjave nënujore. Nga ana tjetër, sipas OST-së ky investim do të ketë ndikim në zhvillimin e rrjetit 400 kV në zonën e Shqipërisë së jugut.