Sektori energjetik në Shqipëri pritet të mbështetet fuqishëm nga kapitali privat në vitet e ardhshme, me rreth 914 milionë euro investime të parashikuara deri në vitin 2027, sipas Programit të Reformave Ekonomike 2026–2028, i hedhur për konsultim publik.
Dokumenti vlerëson se nevoja për kapacitete të reja prodhuese do të mbulohet përmes instalimit të të paktën 600 megavatëve energji të rinovueshme, kryesisht nga burime diellore dhe të erës. Investimet private që do të realizojnë këto kapacitete pritet t’i afrohen vlerës së 1 miliard eurove.
Sipas programit, ankandet konkurruese për projektet energjetike kanë krijuar bazën për zgjerimin e burimeve të rinovueshme dhe për zhvillimin gradual të tregut energjetik. Plani i ankandeve është ndërtuar duke marrë në konsideratë aftësinë përthithëse të tregut, si edhe kufizimet teknike të integrimit të energjisë së re në rrjet.
“Shtimi i rreth 600 MW kapacitetesh të reja është projektuar në përputhje me zhvillimin e infrastrukturës së rrjetit dhe pjekurinë e tregut energjetik”, theksohet në dokument. Në aspektin ekonomik, ndikimi kryesor i reformës lidhet me mobilizimin e kapitalit privat për ndërtimin e këtyre kapaciteteve.
Vlerësimet financiare janë bazuar në kostot standarde të publikuara nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë së Rinovueshme (IRENA). Sipas skenarit bazë makroekonomik, investimet pritet të realizohen kryesisht gjatë viteve 2026 dhe 2027 dhe konsiderohen si një faktor i jashtëm nxitës për rritjen ekonomike.
Programi trajton gjithashtu çështjen e reformimit të tarifave të energjisë, duke synuar një ekuilibër mes liberalizimit të tregut dhe mbrojtjes së shtresave në nevojë. Masat kundër varfërisë energjetike parashikojnë jo vetëm mbështetje financiare direkte, por edhe investime në eficiencë energjetike dhe përdorimin e burimeve të rinovueshme në shkallë të vogël.
Qeveria planifikon mbështetje të posaçme për rinovimin e ndërtesave, pajisje me konsum të ulët energjie dhe instalime të vogla energjetike për familjet vulnerabël, me synimin për të reduktuar kostot afatgjata dhe për të përshpejtuar tranzicionin energjetik të vendit.



