Home / Lajme / Rajoni / Serbia dhe Maqedonia e Veriut drejt interkoneksionit të gazit

Serbia dhe Maqedonia e Veriut drejt interkoneksionit të gazit

Ministrat e energjisë të Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut u dakorduan që interkoneksioni i gazit mes dy vendeve të përfundojë deri në fund të vitit 2027.

Ministrja e Minierave dhe Energjisë e Serbisë, Dubravka Dedoviç Handanoviç, më 12 dhjetor ka zhvilluar në Beograd një takim me ministren e Energjisë, Minierave dhe Mineraleve të Maqedonisë së Veriut, Sanja Bozinovska, ku në fokus ishte ndërtimi i interkoneksionit të gazit mes dy vendeve dhe bashkëpunimi brenda Komunitetit të Energjisë.

Pas takimit, Dedoviç Handanoviç deklaroi në konferencë për media se Serbia, pas përfundimit të interkoneksionit të gazit me Bullgarinë, po vazhdon strategjinë e diversifikimit të rrugëve të furnizimit, ndërsa ndërtimi i gazsjellësit drejt Maqedonisë së Veriut është një nga prioritetet kryesore energjetike.

Ajo bëri të ditur se palët kanë diskutuar planifikimin e përbashkët të afateve dhe se synimi është që interkoneksioni Serbi–Maqedoni e Veriut të përfundojë deri në fund të vitit 2027, në mënyrë që të vihet në funksion në fillim të vitit 2028.

Sipas ministres serbe, në takim është biseduar edhe për furnizimin me derivate të naftës, si dhe për mundësinë që një pjesë e kërkesës, veçanërisht në jug të Serbisë, të mbulohet përmes Maqedonisë së Veriut, çka do të siguronte gjithashtu mbështetje logjistike në transportin rrugor dhe hekurudhor.

Nga ana e saj, ministrja Bozinovska vlerësoi se lidhja e re energjetike do t’u mundësojë të dy vendeve qasje në burime dhe rrugë alternative të furnizimit, ndërsa për Evropën do të thotë një Ballkan më të lidhur dhe më të fortë energjetikisht.

“Ne kemi përfunduar studimet, kemi një trase të dakorduar, mbështetjen e partnerëve evropianë dhe një afat të qartë zbatimi. Qëllimi ynë është që ky interkoneksion të bëhet realitet në kohën më të shkurtër të mundshme”, tha Bozinovska.

Në kuadër të vizitës së delegacionit të Maqedonisë së Veriut në Beograd, u mbajt gjithashtu një takim i grupit punues për projektin e interkoneksionit të gazit, ku u dakordua që delegacionet të takohen rregullisht çdo disa muaj për të ndjekur ecurinë e projektit.