Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, mori pjesë në ceremoninë e organizuar nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE), ku u shpallën fituesit e konkursit kombëtar “Ide të ndritshme për një të ardhme të gjelbër”.
Konkursi përfshiu nxënës nga e gjithë Kosova, të cilët garuan me ese, piktura dhe instalacione kreative që paraqisnin ide të reja për efiçiencën e energjisë dhe përdorimin e energjisë së ripërtëritshme.
Në fjalën e saj, ministrja Rizvanolli vlerësoi kreativitetin, guximin dhe qasjen e përgjegjshme të nxënësve ndaj sfidave mjedisore. Ajo theksoi se punimet – nga konceptet teknike deri tek ilustrimet artistike dhe modelet funksionale – treguan një kuptim të qartë të rëndësisë së energjisë së pastër dhe kursimit të saj, si dhe ndikimit që veprimet individuale kanë në të ardhmen e planetit.
Ministrja inkurajoi brezin e ri të vazhdojë punën për ngritjen e vetëdijes rreth kursimit të energjisë dhe mbrojtjes së mjedisit, duke shprehur mirënjohje për FKEE-në dhe jurinë profesionale për organizimin dhe vlerësimin e punimeve. Në mbyllje, ajo uroi fituesit dhe pjesëmarrësit, duke theksuar se “çdo ide e tyre është një hap drejt një të ardhmeje më të gjelbër”.
Në ceremoninë e shpalljes morën pjesë edhe zyrtarë të FKEE-së, anëtarët e komisioneve vlerësuese, prindër, mësimdhënës dhe nxënësit pjesëmarrës fitues.



