Home / Lajme / Efiçiencë / Fillon hartimi i Strategjisë Kombëtare për Renovimin e Ndërtesave në Kosovë

Fillon hartimi i Strategjisë Kombëtare për Renovimin e Ndërtesave në Kosovë

Ka nisur zyrtarisht procesi i hartimit të Strategjisë Kombëtare për Renovimin e Ndërtesave në Kosovë, pas mbajtjes së takimit të parë të Grupit Punues të organizuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI).

Procesi po zhvillohet nga Departamenti për Planifikim Hapësinor, Ndërtim dhe Banim, në bashkëimplementim me LuxDev – Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor, në kuadër të projektit “Energy Transition and Climate Mitigation”, i financuar nga Qeveria e Luksemburgut.

Sipas ministrisë, strategjia synon të përmirësojë performancën energjetike të fondit të ndërtesave në Kosovë dhe po hartohet në përputhje me Ligjin Nr. 08/L-242 për Performancën Energjetike të Ndërtesave, si dhe me objektivat kombëtare dhe evropiane për tranzicion energjetik dhe zbutje të ndryshimeve klimatike.

Takimi u hap me fjalë hyrëse nga Drejtori i Departamentit për Planifikim Hapësinor, Ndërtim dhe Banim, Servet Spahiu, si dhe nga Lindita Daija, eksperte për zhvillimin e kapaciteteve në kuadër të projektit “Energy Transition and Climate Mitigation”.

Korniza ligjore, objektivat e strategjisë dhe qasja metodologjike për hartimin e saj u prezantuan nga Arben Ajazi, ushtrues detyre shef i Divizionit të Performancës Energjetike në Ndërtesa, dhe Vigan Perani, ekspert për efiçiencë të energjisë nga LuxDev. Prezantimet përfshinë gjithashtu rolin e Grupit Punues dhe nevojën për koordinim të vazhdueshëm ndërinstitucional gjatë gjithë procesit.

Anëtarët e Grupit Punues zhvilluan diskutime dhe shprehën gatishmërinë për të kontribuar aktivisht në hartimin e dokumentit strategjik.

MMPHI ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me LuxDev dhe partnerët relevantë, do të vazhdojë angazhimin për të siguruar që Strategjia Kombëtare për Renovimin e Ndërtesave të jetë gjithëpërfshirëse, e zbatueshme dhe e harmonizuar me prioritetet kombëtare dhe evropiane në fushën e efiçiencës së energjisë.