Kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), z. Gramos Hashani, ka bërë të ditur se procesi i modernizimit të njësisë B2 në Termocentralin Kosova B ka përfunduar me sukses, duke rezultuar me rritje të kapacitetit prodhues dhe përmirësim të performancës teknike.
Sipas Hashanit, remonti kapital dhe modernizimi i turbinave në njësinë B2 kanë zgjatur rreth pesë muaj, duke filluar më 28 prill dhe duke përfunduar në fund të muajit shtator.
Pas përfundimit të fazës së komisionimit dhe realizimit të testeve teknike, njësia B2 ka operuar me një ngarkesë prej 346 MW/h, duke tejkaluar kapacitetin e saj nominal në momentin e ndërtimit.
“Kjo dëshmon qartë se investimet e realizuara në modernizimin e njësisë B2 kanë prodhuar rezultate konkrete dhe të matshme, si në rritjen e kapacitetit prodhues ashtu edhe në stabilitetin operativ të njësisë”, ka deklaruar Kryeshefi i KEK-ut në një intervistë për ATV.
Hashani ka bërë të ditur gjithashtu se gjatë vitit të ardhshëm është planifikuar modernizimi i njësisë B1, paralelisht me instalimin e elektrofiltrave dhe sistemit DeNOX, me qëllim të përmirësimit të performancës mjedisore.
Si rezultat i këtyre investimeve, edhe në njësinë B1 pritet një rritje e kapacitetit prodhues për rreth 30 MW/h.
KEK mbetet e përkushtuar që përmes investimeve strategjike në kapacitetet ekzistuese të prodhimit të sigurojë stabilitet afatgjatë të furnizimit me energji elektrike, rritje të kapaciteteve prodhuese dhe përmbushje të standardeve teknike dhe mjedisore.



