Home / Lajme / Kosova / Hamza premton heqjen e TVSH-së për uljen e faturave të energjisë elektrike

Hamza premton heqjen e TVSH-së për uljen e faturave të energjisë elektrike

Fatura më të ulëta dhe më të përballueshme të energjisë elektrike ka premtuar në ditën e dytë të fushatës elektorale kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), Bedri Hamza. 

Këtë premtim, Hamza është zotuar se do ta realizojë nëpërmjet heqjes së TVSH-së për energjinë elektrike.

Kandidati i PDK-së për kryeministër, nëpërmjet një video-adresimi të publikuar të enjten ka prezantuar pesë zotimet e tij të para në rast se e fiton mandatin për ta udhëhequr qeverinë e ardhshme.

“Do t’i ulim tatimet për pagat, ashtu që secili punëtor të marrë më shumë para në fund të muajit. Do ta ulim TVSH-në për produktet esenciale dhe për shumë prej tyre do ta bëjmë zero, ashtu që çmimet e tyre të ulen. Do ta heqim TVSH-në për energjinë elektrike, për faturë më të ulët dhe të përballueshme. Këto janë zotimet e mia: të domosdoshme, të realizueshme dhe jetike”, është zotuar ai. “Qeveria ime do të jetë qeveri e zhvillimit dhe jo e pengesave. Qeveria ime do të bashkojë, të integrojë dhe do të punojë për të gjithë”.

Partia Demokratike e Kosovës, tubimin kryesor elektoral të enjten e ka mbajtur në Vushtrri, komunë kjo me të cilën ajo qeveris në nivel lokal.

Nga Vushtrria, Hamza e ka bërë zotimin për mirëqenie dhe zhvillim më dinjitoz.

“Sot ju ftoj ta ktheni besimin në votë, punën në mbështetje dhe shpresën në fitore. Bashkë, punojmë. Bashkë, ecim. Bashkë, fitojmë. Përpara për çdo qytetar. Përpara për çdo familje që kërkon siguri dhe mirëqenie. Përpara për një Kosovë ma të fortë, më të zhvilluar, më dinjitoze. Me numrin 130, me PDK-në, ecim të sigurt drejt fitores. Bashkë. Përpara. Për Vushtrrinë që meriton ma shumë”, është shprehur ai.

Nikoqiri i këtij tubimi, Ferit Idrizi, i cili në zgjedhjet lokale të 12 tetorit e ka siguruar edhe një mandat për të qeverisur me Vushtrrinë, të enjten e ka kërkuar votën e qytetarëve për ta bërë Bedri Hamzën kryeministër të Kosovës.

“Programi i Bedri Hamzës është një program përmbledhës që garanton mirëqenie të qytetarëve, zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, arsim dhe shëndetësi me cilësore, drejtësi dhe politikë të jashtme që i afron të gjithë aleatët ashtu siç i kishte Kosova dikur”, ka thënë ai para qytetarëve të Vushtrrisë.
E tek e ka shpalosur programin e tij politik për qeverisjen e ardhshme katërvjeçare, Hamza ka premtuar se në rast se e merr mandatin e kryeministrit do t’i rrisë pagat dhe pensionet, si dhe do të garantojë zhvillim ekonomik dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët.

“Si kryeministër, unë garantoj drejtësi të pavarur nga politika, por të fuqizuar nga shteti. Mbi ligjin nuk do të jetë askush, sepse kjo është baza e besimit të qytetarëve”, është zotuar ai. 

Në programin e tij, Hamza i PDK-së ka shpalosur edhe planet që i ka në rrafshin e mbrojtjes dhe të diplomacisë.

“Shtylla e katërt është mbrojtja dhe politika e jashtme. Kosova ka nevojë që të jetë vend i sigurt. Ne do ta fuqizojmë ushtrinë tonë, do të punojmë me të gjitha kapacitete tona që ta arrijmë që të anëtarësohemi në NATO fillimisht përmes partneriteti për paqe. Integrimi në BE për ne është pa alternativë”, ka premtuar Hamza.

Ai ka premtuar edhe sistem tatimor më të drejtë, lehtësira dhe subvencione për bizneset, krijimin e Fondit të Papunësisë, themelimin e Gjykatës së Punës, ndërtimin e Stadiumit Olimpik Kombëtar, krijimin e fondit prej 30 milionë eurosh në vit për bursa studentore, krijimin e qendrave të kujdesit për të moshuarit në çdo rajon të Kosovës, drejtësi të pavarur nga politika, krijimin e Gardës Kombëtare të Kosovës, si dhe rifillimin e Dialogut Strategjik.

“Qytetarët nuk kërkojnë mrekulli. Ata kërkojnë dinjitet. Stabilitet. Një ekonomi që ua lehtëson jetën. Dhe pikërisht këtë e ofron programi ynë. Zgjidhje reale, të llogaritura, të financuara qartë”, ka theksuar Hamza.

Partia Demokratike e Kosovës e ka bërë në Vushtrri edhe prezantimin i kandidatëve për deputetë të Kuvendit nga kjo komunë.

E pas Vushtrrisë, PDK-ja e ka mbajtur tubimin elektoral të radhës në Komunën e Fushë-Kosovës.