Me 500 vota pro, 120 kundër dhe 32 abstenime, Parlamenti Evropian votoi të mërkurën (17 dhjetor) projektligjin për ndalimin e të gjitha importeve të gazit rus deri në fund të vitit 2027, duke i hapur kështu dritën jeshile zyrtarizimit të kësaj mase, e cila synon goditjen e fondeve që Rusia përdor për luftën e saj në Ukrainë.
“Kjo është një ngjarje historike. BE po merr një hap gjigand drejt një ere të re pa gaz dhe naftë ruse. Rusia nuk do të mund ta përdorë më eksportin e lëndëve djegëse fosile si një armë kundër Europës”, u shpreh kreu i komitetit parlamentar për industrinë, energjinë dhe tregtimin, Ville Niinistö.
Ndërsa kryetarja e komitetit për tregti ndërkombëtare, Inese Vaidere, theksoi se votimi i së mërkurës në Parlament “përçon mesazhin e qartë dhe të fuqishëm që Europa nuk do të jetë kurrë më e varur nga gazi rus.
“Kjo është një arritje e madhe për BE-në si dhe një kthesë historike në politikën evropiane të energjisë”, nënvioi ajo.
Pas miratimit në Parlament, legjislacioni duhet të marrë mbështetje formale nga Këshilli Evropian, i cili ndërkohë ka dhënë dakordësinë e tij.
Nga tani, gazi i lëngshëm natyror rus nuk do të lejohet të hyjë në BE deri në fund të vitit të ardhshëm, ndërsa ai që transportohet përmes gazsjellësve do të ndalohet deri më 30 shtator 2027. Ligji i ri parashikon gjoba që vendet anëtare duhet t’i vendosin ndaj operatorëve që veprojnë në kundërshtim me legjislacionin.
Operatorëve gjithashtu do t’u duhet t’u paraqesin autoriteteve doganore dëshmi më të detajuara të vendit të origjinës së gazit që tregtojnë, para se ky produkt të importohet ose magazinohet.
/rtsh.al



