Home / Lajme / Mjedisi / Sarajeva merr masa pasi u rendit si qyteti me ajrin më të ndotur

Sarajeva merr masa pasi u rendit si qyteti me ajrin më të ndotur

Autoritetet e Sarajevës kanë aktivizuar paralajmërimin për cilësinë e ajrit dhe kanë vendosur ndalimin e disa automjeteve dhe kamionëve, pasi qyteti u rendit si qyteti më i ndotur në botë gjatë dy mbrëmjeve të së hënës dhe së martës (15 dhe 16.12.2025) nga kompania zvicerane e monitorimit të cilësisë së ajrit, IQAir, raporton Reuters.

Qeveria kantonale e Sarajevës ka ndërmarrë të mërkurën (17.12.2025) veprime pasi cilësia e ajrit në kryeqytetin boshnjak arriti nivele të rrezikshme pas disa ditësh mjegulle dhe smogu që kanë mbuluar qytetin me rreth 350 mijë banorë.

Kryeqendra ka ndaluar kamionët mbi 3.5 ton dhe makinat dhe kamionët që nuk përmbushin standardet e përcaktuara nga Bashkimi Europian që të qarkullojnë në qytet dhe ka ndaloi punimet e ndërtimit në zona të hapura. Janë ndaluar edhe tubimet publike në vende të hapura u.

Ekspertët thonë se burimet kryesore të ndotjes janë rreth 40 mijë familje që përdorin kryesisht dru zjarri dhe qymyr për ngrohje dimërore dhe transport.

“Vetëm 500 familje kanë marrë soba me gaz falë ndihmës ndërkombëtare”, ka njoftuar Anes Podiq nga organizata mjedisore, “Eko Akcija”- duke shtuar se 180 mijë automjete janë të regjistruara në Sarajevë.

Qyteti, i vendosur në një luginë të rrethuar nga male dhe kodra, ka vuajtur prej kohësh nga një fenomen i njohur si përmbysja e temperaturës, që u bën presion ajrin më të ftohtë dhe ndotësve të automjeteve e lëndëve djegëse fosile të mbesin afër tokës. I përzier me mjegull, ajri i ndotur mund të qëndrojë për ditë të tëra.

Bosnja ka ndër nivelet më të larta të ndotjes nga grimcat e imëta (PM2.5) në Europë, në të cilën djegia e lëndës djegëse të ngurtë për ngrohjen e shtëpive dhe sektori i transportit kontribuojnë përkatësisht me rreth 50 për qind dhe 20 për qind, sipas Bankës Botërore.

Enis Kreçiniq, ekspert në Institutin Hidrometeorologjik të federatës autonome boshnjako-kroate të Bosnjës, ka theksuar se sasia e lejuar e PM2.5 ishte tejkaluar për më shumë se 100 ditë në vit.

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Bosnja ka shkallën e pestë më të lartë të vdekshmërisë nga ndotja e ajrit në botë.

Banka Botërore vlerëson se ndotja e ajrit nga PM 2.5 shkakton 3.300 vdekje të parakohshme çdo vit dhe humbjen e mbi 8 për qind të PBB-së në Bosnjë.

Aida Forto, specialiste e mushkërive, ka theksuar se ekspozimi afatgjatë ndaj ndotjes së ajrit, dhe veçanërisht ndaj grimcave të imëta, mund t’i kontribuojë kancerit të mushkërive dhe është veçanërisht i rrezikshëm për gratë shtatzëna, fëmijët, të moshuarit dhe njerëzit me sëmundje kronike.