Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka reaguar publikisht për të sqaruar procesin e licencimit të kompanisë EFT, duke theksuar se vendimmarrja rregullative bazohet në kritere të qarta ligjore dhe nuk ndikohet nga presione apo ndërhyrje jashtë kornizës institucionale.
Sipas ZRRE-së, institucioni ka ndjekur një qasje të përmbajtur institucionale dhe ka shmangur përfshirjen në debate politike, me synimin për të ruajtur paanshmërinë dhe besueshmërinë rregullative. Megjithatë, intensifikimi i deklaratave dhe ndërhyrjeve publike e ka bërë të nevojshëm një reagim zyrtar për të informuar saktë opinionin.
Në reagimin e saj, ZRRE rikujton se licencimi i subjekteve energjetike zhvillohet ekskluzivisht në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative në fuqi. Lidhur me deklaratat për kompaninë EFT, rregullatori sqaron se Energy Financing Team AG ka qenë e licencuar për ushtrimin e aktivitetit të furnizimit me shumicë (tregti) të energjisë elektrike në periudhën 2006–2012.
Po ashtu, Energy Financing Team LLC ka qenë e licencuar nga ZRRE për të njëjtin aktivitet në periudhat 2016–2021 dhe 2021–2026.
ZRRE paralajmëron se interpretimet e pasakta ose paraqitja e shtrembëruar e këtyre proceseve mund të krijojnë konfuzion në publik dhe të dëmtojnë besimin në institucionet e pavarura, si dhe stabilitetin e tregut të energjisë elektrike. Sipas rregullatorit, deklarata të tilla nuk kontribuojnë në transparencë dhe nuk i shërbejnë interesit publik.
Në fund, ZRRE thekson se është institucion i pavarur kushtetues dhe ligjor, duke nënvizuar se çdo tentativë për ndikim në vendimmarrjen rregullative cenon parimin e pavarësisë së rregullatorit, sundimin e ligjit dhe përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare të Republikës së Kosovës në sektorin e energjisë.



