Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka marrë vendim që të mos ketë pezullim të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike në Kosovë.
Ky institucion rregullator ka konsideruar se vendimi i Gjykatës Supreme në lidhje me liberalizimin e tregut, nuk i obligon ata që të pezullojnë liberalizimin e tregut të energjisë, por vetëm largimin e dy neneve në aktet nënligjore.
Në mbledhjen e Bordit të mbajtur sot me 18.12.2025, ZRRE ka thënë se vendimi i Gjykatës shfuqizon një nen të Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë të vitit 2017, si dhe një nen të Udhëzuesit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Udhëzuesit në fjalë.
“Gjykata ka sqaruar se e drejta për shërbim universal u takon vetëm konsumatorëve familjarë dhe ndërmarrjeve të vogla, të cilat sipas përkufizimit të detyrueshëm të direktivës janë ndërmarrjet me më pak se 50 punëtorë dhe me qarkullim jo më shumë se 10 milionë euro” – ka thënë Medin Misini, ushtrues detyre i drejtorit të Departamentit Ligjor në ZRRE.
“Për më tepër Gjykata nuk ka konstatuar mungesë të bazës ligjore për liberalizim të tregut, por vetëm mungesë të arsyetimit në disa dispozita nënligjore të shfuqizuara. ZRRE vlerëson se Gjykata Supreme nuk ka vendosur obligim pozitiv për ZRRE-në, për të nxjerrë një akt normativ ri-zëvendësues dhe as nuk ka urdhëruar pezullimin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike. Përkundrazi, Gjykata ka konstatuar se tregu ligjërisht është i hapur dhe se zbatimi i ligjit primar vazhdon drejtpërdrejt, pa pasur nevojë për ndërhyrje shtesë normative” – ka thënë tutje ai.
Sipas Misinit, në këto rrethana, nxjerrja e një akti normativ për shfuqizim ose zëvendësim të neneve të shfuqizuara nga ana e Gjykatës Supreme, do të ishte e panevojshme nga aspekti juridik.
“..pasi do të krijonte përshtypjen e gabuar se shfuqizimi i bërë nga Gjykata Supreme nuk ka qenë i mjaftueshëm ose se ZRRE ka kompetencë të rishqyrtojë efektet e aktgjykimit”.
Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës kishte shpallur të paligjshme dhe kishte shfuqizuar nene të Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike.
Gjykata kishte konstatuar se mospërputhjet ndërmjet dispozitave ligjore dhe të akteve nënligjore kanë ndikuar në krijimin e një situate të pasigurisë ligjore dhe ekonomike për konsumatorët e energjisë elektrike.
“Ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar nenin 8 të Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike, të datës 18 janar 2017. Ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar nenin 2 të Udhëzuesit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë”- thuhej mes tjerash në njoftimin e Gjykatës Supreme.
Kjo sipas Gjykatës ka bërë të domosdoshme ndërhyrjen e saj për interpretim të unifikuar të normave për mbrojtjen e parimit të sigurisë juridike dhe të trajtimit të barabartë në tregun e energjisë elektrike.
“Gjykata Supreme kishte parasysh se, Kosova, që nga viti 2005 është palë nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, përmes të cilit ajo merr përsipër detyrimin për zbatimin e “Acquis communautaire” të Bashkimit Evropian në sektorin e energjisë elektrike, që detyron në mënyrë të veçantë zbatimin e Direktivave dhe Rregulloreve për Energji të Bashkimit Evropian”- thuhet tutje në njoftim.
Supremja ka thënë se për Kosovës, kjo do të thotë se institucionet shtetërore janë të detyruara të harmonizojnë legjislacionin energjetik dhe rregullues me detyrimet që dalin nga traktati, që janë ligjërisht të detyrueshme për Palët Kontraktuese.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë kishte marrë vendim se që nga data 01.06.2025 bizneset e mëdha që kanë më shumë se 50 të punësuar, apo më shumë se 10 milionë euro qarkullim, duhet të kalojnë në tregun e lirë të energjisë. Kjo nënkuptonte se ata do të gjenin energjinë elektrike në treg të hapur, nga kompani që janë të licencuara nga ZRRE-ja.
Periudha e tranzicionit ishte përcaktuar të jetë 60 ditë, që i bie deri më 01.08.2025.
Kurse Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), që është Furnizues i Mundësisë së Fundit (FMF), sipas një Vendimi të ZRRE-së, do të ketë këtë status deri në janar të vitit 2026.
Në anën tjetër, bizneset me në krye Odën Ekonomike të Kosovës e kishin kundërshtuar Vendimin e ZRRE-së, që bizneset e mëdha me mbi 50 punëtorë ose me mbi 10 milionë euro qarkullim, nga data 1 qershor 2025 të kalojnë në tregun e lirë të energjisë elektrike.
Më 29.05.2025 ata kanë mbajtur një protestë në Prishtinë – duke bllokuar pjesshëm të gjitha hyrjet në Kryeqytet, si dhe një protestë tjetër më 11.06.2025, po ashtu në Prishtinë.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DHTIK) kishte njoftuar se ka ndërmarrë një hap ligjor, përmes së cilit do t’i mbronin interesat e bizneseve anëtare dhe të gjithë sektorit privat në vend.
DHTIK ka njoftuar se ka bërë padi ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, për siç thonë ata shkelje të rënda ligjore dhe procedurale në Vendimin për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.
Bizneset kanë filluar paditë duke kërkuar pezullimin e vendimit të ZRRE-së, ndërsa ka raste individuale që bizneset kanë fituar në Gjykatën Komerciale.
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) më 08.12.2025 kishte dorëzuar kallëzim penal kundër Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), për moszbatim të vendimit të Gjykatës Supreme, në lidhje me liberalizimin e tregut të energjisë për bizneset.



