Home / Lajme / Rrjeti elektrik / Latifi: Gjendja me energjinë elektrike në Rahovec është serioze dhe e papranueshme

Latifi: Gjendja me energjinë elektrike në Rahovec është serioze dhe e papranueshme

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka ngritur shqetësimin për ndërprerjet dhe reduktimet e shpeshta të energjisë elektrike në këtë komunë, duke theksuar se situata po ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe funksionimin e bizneseve.

Latifi ka bërë të ditur se prej disa ditësh është në komunikim të vazhdueshëm me përgjegjësit e KEDS-it në Rahovec, Gjakovë dhe Prishtinë, si dhe me udhëheqjen e KOSTT-it, për t’i informuar ata për pakënaqësinë e madhe të qytetarëve lidhur me gjendjen aktuale të furnizimit me energji elektrike.

Sipas tij, ndërprerjet e shpeshta po e rëndojnë jetën e përditshme të qytetarëve, po dëmtojnë aktivitetin e bizneseve dhe po rrisin pakënaqësinë edhe te bashkatdhetarët që po vijnë për pushime në vendlindje.

“Gjendja me energjinë elektrike është serioze dhe e papranueshme. Qytetarët jo vetëm që po e paguajnë shtrenjtë energjinë elektrike, por po i bartin edhe pasojat e mungesës së saj”, ka deklaruar Latifi.

Ai u ka bërë thirrje urgjente KOSTT-it, KEDS-it dhe KEK-ut që të ndërmarrin masa të menjëhershme për stabilizimin e furnizimit me energji elektrike, duke theksuar se energjia elektrike nuk është luks, por një nevojë themelore për qytetarët e Rahovecit.