Home / Lajme / Rajoni / Komuniteti i Energjisë përjashton Shqipërinë nga Ministeriali i Energjisë së BE-së

Komuniteti i Energjisë përjashton Shqipërinë nga Ministeriali i Energjisë së BE-së

Komuniteti i Energjisë ka konstatuar se Shqipëria nuk është në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë, duke e përjashtuar nga pjesëmarrja në Ministerialin e Energjisë së BE-së. Vendimi është miratuar më 18 dhjetor 2025 në Vjenë dhe hyn në fuqi menjëherë.

Sipas vendimit të Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë, i regjistruar me numrin 2025/03/MC-EnC dhe i lidhur me çështjen ECS-5/24, autoritetet shqiptare kanë dështuar të miratojnë dhe zbatojnë brenda afatit legjislacionin dhe aktet nënligjore të nevojshme për përafrimin me kuadrin ligjor të Bashkimit Evropian në sektorin e energjisë elektrike.

Në dokument theksohet se Shqipëria nuk ka përmbushur deri më 31 dhjetor 2023 detyrimet për zbatimin e Direktivës (BE) 2019/944 për tregun e brendshëm të energjisë elektrike, Rregullores (BE) 2019/941 për përgatitjen ndaj rreziqeve në sektorin energjetik, si dhe Rregulloreve (BE) 2019/942 dhe 2019/943. Po ashtu, bëhet fjalë për një sërë rregulloresh teknike të BE-së që lidhen me alokimin e kapaciteteve, menaxhimin e kongjestionit, balancimin e energjisë, emergjencat dhe operimin e sistemit të transmetimit.

Vendimi vëren gjithashtu se Shqipëria nuk ka njoftuar Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë për masat e ndërmarra, duke shkelur vendime të mëparshme të viteve 2021 dhe 2022, si dhe nenet 6 dhe 89 të Traktatit të Komunitetit të Energjisë.

Këshilli Ministror i kërkon Shqipërisë që të ndërmarrë menjëherë të gjitha masat e nevojshme për të korrigjuar shkeljet e konstatuara dhe për t’u përputhur me të drejtën e Komunitetit të Energjisë. Sipas vendimit, autoritetet shqiptare janë të obliguara të raportojnë rregullisht gjatë vitit 2026 mbi progresin e bërë.

Në rast se mospërputhjet nuk korrigjohen deri më 1 korrik 2026, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë autorizohet të nisë procedurë sanksionuese ndaj Shqipërisë, në përputhje me nenin 92 të Traktatit.

Vendimi u drejtohet të gjitha palëve dhe institucioneve të Traktatit të Komunitetit të Energjisë dhe mbetet në fuqi që nga momenti i miratimit.