Home / Lajme / Energjia konvencionale / Punëtorët e KEK-ut paralajmërojnë protestë të re më 24 dhjetor

Punëtorët e KEK-ut paralajmërojnë protestë të re më 24 dhjetor

Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) do të zhvillojnë një protestë të re më 24 dhjetor 2025, duke filluar nga ora 11:00, para zyrave qendrore të KEK-ut në Prishtinë.

Ky njoftim vjen pasi kërkesat e punëtorëve, përfshirë rritjen e pagave dhe miratimin e pagesës së 13-të, ende nuk kanë marrë përgjigje nga menaxhmenti dhe institucionet përkatëse.

Protesta e re vijon një seri ngjarjesh që kanë shënuar tensione të konsiderueshme në KEK gjatë dy javëve të fundit.

Më herët, Sindikata e Re reagoi ndaj refuzimit të KEK-ut për aprovimin e pagesës së 13-të, duke paralajmëruar veprime të mëtejshme. KEK kishte thënë se gjendja financiare dhe korniza ligjore nuk e lejojnë pagën e 13-të.

Përveç kësaj, punëtorët e bërthamës energjetike të Kosovës, Kosova B, u mobilizuan gjithashtu, duke u bashkuar me mesazhin e Sindikatës: “Pa ne nuk ka energji”.

Sindikata thekson se protestat nuk do të ndalen derisa kërkesat të adresohen dhe paralajmëron se gjatë ngjarjes së 24 dhjetorit do të bëhet publike një “surprizë” lidhur me shumën e kërkesës për rritje pagash.

Sindikata fton punëtorët e KEK-ut, qytetarët dhe mediat që të jenë pjesë e protestës për të mbështetur kërkesat e punëtorëve dhe për të bërë të dëgjuar zërin e tyre.