Home / Lajme / Rrjeti elektrik / Ankohen disa biznese në Hajvali, thonë se që një javë kanë probleme me rrymë

Ankohen disa biznese në Hajvali, thonë se që një javë kanë probleme me rrymë

Disa biznese në fshatin Hajvali të Prishtinës janë duke u ankuar se që rreth një javë janë duke pasur probleme me energjinë elektrike.

Ata pretendojnë se problemi është me një fazë të furnizimit, ndërsa thonë se deri më tash KEDS-i nuk ka marrë asnjë veprim për të zgjidhur problemin.

Burim Avdiu, pronar i një autoservisi, tha se si biznes janë “të falimentuar” për shkak të problemeve me rrymë.

“Qe një javë ditë. Edhe kur vjen, vjen shumë e dobët. Do të thotë ne e kemi biznes familjar. Muajin e kaluar na kanë ndalë 15 ditë të muajit. Jo po e përforcojmë rrjetin, jo po e ndreqim rrjetin, tash që një javë ditë një fazë nuk është hiç, dy faza janë shumë të dobëta. Gomat qysh i kemi marrë për me i shitë na kanë mbetë aty, do të thotë ne si biznes në këtë rrugë jemi të falimentuar. Unë jam me djalin, edhe një punëtor. Tre vetë do të thotë marrim pagë prej këtu” – ka thënë Avdiu.

“Veç unë i kam thirrë nja 50 herë më së paku. Qetash me bo me e thirr thotë “Ekipa janë në terren”, “Ekipa janë dalë në terren”, “Ekipa janë duke e ndreqë”. A këtu nuk vijnë, sepse këtu diku kemi defekt. Jo, vitin e kaluar ka ndodhë ky sen, por gjatë ditës e kanë rregullu, sepse kemi probleme gjithë, si lagje kemi probleme, është rryma shumë e dobët, por ka bo vaki e ka ndalë një fazë një orë, dy orë, e kanë ndreqë. A si sivjet, nuk na e kanë bo kurrë”.

Arben Islami, pronar i një fabrike të mobileve në Hajvali, tha se janë shtatë punëtorë të cilët punojnë në biznesin e tij, e si pasojë e problemeve me rrymë, mund të ketë problem me pagesën e pagave.

“Përndryshe kohë pas kohe ka ndërprerje të rrymës. Ka pasur edhe punime e gjëra të cilat edhe kuptohen, por kësaj here kjo ndërprerje është e pakuptueshme, e paarsyeshme, është një javë. Nuk është një ditë, 24 orë, 48 orë. Ka prishje derisa të gjendet defekti, derisa të bëhet zgjidhja është e arsyeshme, por një javë është shumë, është fundi i vitit. Ne i kemi dorëzu punët tona, pa i dorëzu punët po mbyllet viti. Normal që na kanë dëmtu, ne jemi biznes i vogël, prodhojmë mobile, të gjitha punët i kemi me afat, edhe pa i kry punët kemi pasë telashe me i dhënë edhe rrogat” – ka thënë ai.

Ndërsa Valon Krasniqi, i cili është pronar i një restoranti, tha se gjysma e pajisjeve në lokalin e tij nuk punojnë, e si pasojë, ka ndikuar që rreth një javë të mos punojë fare në restorant.

“Kemi problem me një fazë të rrymës, për shembull gjysma e lokalit ka, e gjysma e lokalit jo. Domethënë gjysma e pajisjeve na punojnë, gjysma nuk na punojnë. Kështu që është e pamundur me punu. E kemi thirrë KEDS-in, e lajmërojmë rastin, por zgjidhje nuk ka. KEDS-i kurrgjë, veç e lajmërojmë rastin, dalin ekipa, por që një javë nuk janë tu dalë. Që një javë nuk jam duke punuar thuaja hiç. Tash qiraja ec, fatura e rrymës vjen prapë. Katër punëtorë jemi që punojmë këtu” – ka thënë Krasniqi.

Në ndërkohë, KEDS-i ka thënë se problemi është për shkak të konsumit të lartë të rrymës të koncentruar në një fazë.

Në një përgjigje për KALLXO.com, zëdhënësja e KEDS-it, Bleona Dallaveraj, ka thënë se ekipet po punojnë vazhdimisht në terren.

“Për shkak të konsumit të lartë të energjisë elektrike të koncentruar në një fazë, po shkaktohen djegie në tensionin e ulët si rezultat i arritjes së kapacitetit maksimal për këtë trafo-stacion. Ekipet tona po punojnë vazhdimisht në këtë pjesë dhe po intervenojnë në ndërrimin e siguresave të tensionit të ulët. Gjatë ditës së sotme, pas intervenimit maksimal të ekipeve të KEDS-it në terren, problemi për të cilin keni parashtruar pyetje është rregulluar dhe banorët e Hajvalisë tashmë kanë energji elektrike në të tri fazat, pasi që problemi, siç ju kishim informuar, ishte vetëm mungesa e një faze dhe jo mungesë e energjisë elektrike në total” – tha Dallaveraj.

Përkundër që KEDS-i në përgjigjet e ofruara rreth orës 15:30 ka thënë se problemi është sanuar, bizneset e kontaktuara nga KALLXO.com pas përgjigjeve të KEDS-it kanë pretenduar se problemi vazhdon të jetë i njëjtë.

KEDS-i ka thënë se për shkak të konsumit të lartë të energjisë elektrike probleme të ngjashme ka pasur edhe në komuna të tjera. Sipas KEDS-it, ekipet mundohen të reagojnë në mënyrën më të shpejtë të mundshme për të sanuar defektet.

Në anën tjetër, përmes një komunikate për media më 21 dhjetor, Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu (KOSTT) tha se ditëve të fundit rrjeti energjetik në Kosovë është duke u përballur me ngarkesë të rritur.

Sipas njoftimit, konsumi më i lartë është kryesisht në orët e paraditës nga ora 9:00 deri në ora 12:00, si dhe pasdite dhe natën, nga ora 16:00 deri në ora 20:00 dhe nga ora 22:00 deri në ora 23:00.