Home / Lajme / Kosova / Bedri Hamza premton: Energjia prioritet kombëtar, TVSH-ja për energjinë elektrike hiqet

Bedri Hamza premton: Energjia prioritet kombëtar, TVSH-ja për energjinë elektrike hiqet

Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka prezantuar energjinë dhe lehtësimin e barrës së jetesës si shtylla kryesore të programit të tij qeverisës, duke premtuar heqjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për energjinë elektrike dhe produktet bazë.

Në një videoadresim, Hamza tha se energjia përbën prioritet kombëtar dhe se synimi i tij është furnizim i sigurt, kosto më e ulët për qytetarët dhe diversifikim i burimeve energjetike. Sipas tij, heqja e TVSH-së nga energjia elektrike do të ndikojë drejtpërdrejt në uljen e faturave mujore dhe në mbrojtjen e standardit jetësor të familjeve.

“Çmimi i energjisë elektrike është bërë barrë e rëndë për familjet dhe bizneset. Faturat po rriten, ndërsa pagat nuk mjaftojnë. Kjo është padrejtësi sociale. Prandaj, si kryeministër unë do ta heq TVSH-në. Kjo do të thotë faturë më të ulët çdo muaj, më shumë qetësi për familjet dhe më shumë lehtësi për secilin prej jush”, ka deklaruar Hamza.

Ai ka paralajmëruar po ashtu heqjen ose uljen në zero të TVSH-së për një sërë produktesh esenciale, përfshirë ushqimet bazë dhe barnat, duke thënë se kjo masë do të reflektojë drejtpërdrejt në uljen e çmimeve.

“Do ta ul TVSH-në për produktet esenciale dhe për shumë prej tyre do ta bëjmë zero. Për shembull për bukën, qumështin dhe produktet e tij, drithërat, vezët, vajin, barnat e kështu me radhë. Kjo do të thotë çmime më të ulëta, më pak barrë për familjet dhe më shumë lehtësim për buxhetin e çdo shtëpie, sepse askush nuk duhet të luftojë për gjërat elementare të jetës”, është shprehur ai.

Hamza theksoi se, nëse merr drejtimin e qeverisë, energjia dhe mbështetja për qytetarët do të jenë në qendër të politikave publike, duke shtuar se “rryma nuk është luks”, por nevojë bazike për çdo familje dhe biznes.

Gjatw ditws sw sotme, Hamza vizitoi edhe Malishevwn, ku tha se aty pa vendosmwri dhe gatishmwri pwr ndryshim.

“Në rrugëtimin për ta çuar Kosovën përpara, sot në Malishevë pashë vendosmërinë, energjinë dhe gatishmërinë për ndryshim që po rritet çdo ditë”.