Home / Lajme / Kosova / Kosto rekord për bartjen e energjisë sonte: 801 euro/MWh nga Maqedonia e Veriut drejt Kosovës

Kosto rekord për bartjen e energjisë sonte: 801 euro/MWh nga Maqedonia e Veriut drejt Kosovës

Kosto shumë e lartë e bartjes së energjisë elektrike nga Maqedonia e Veriut drejt Kosovës ka ngritur shqetësime të reja mbi funksionimin e tregut dhe menaxhimin e sistemit energjetik. 801 euro për megavat vetëm për bartje të energjisë elektrike nga ora 20:00 sonte deri në mesnatë nga Maqedonia e Veriut.

Njohësja e sektorit të energjisë dhe kandidatja për deputete nga LDK, Janina Ymeri, ka bërë të ditur se vetëm për bartjen e energjisë elektrike nga Maqedonia e Veriut, në intervalin kohor nga ora 20:00 deri në mesnatë, çmimi ka arritur në 801 euro për megavat-orë. Sipas saj, kjo kosto është afërsisht nëntë herë më e lartë sesa vetë çmimi bazë i energjisë elektrike në bursën hungareze HUPX.

Deklarata vjen në një periudhë kur Kosova po përballet me mbingarkesë të sistemit energjetik, rritje të importeve dhe shqetësime të vazhdueshme për çmimet e energjisë, si për konsumatorët ashtu edhe për operatorët e tregut.

Kostoja e lartë e bartjes së energjisë është një nga faktorët që ndikon drejtpërdrejt në çmimin final të energjisë elektrike dhe në presionin financiar mbi sistemin.

Ekspertët e sektorit kanë theksuar vazhdimisht se mungesa e kapaciteteve të mjaftueshme vendore të prodhimit dhe varësia nga importi e bëjnë Kosovën të ekspozuar ndaj çmimeve ekstreme në tregjet rajonale.