Haradinaj kritikon varësinë nga tregu i energjisë dhe kërkon kthim te prodhimi vendor.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kandidati i kësaj partie për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka thënë se nevoja për të prodhuar energji në Kosovë është urgjente. Ai ka theksuar se për këtë duhet të ketë plane të mëdha, investime afatgjata dhe vendime të guximshme.
“Koha e errësirës, e faturave të paparashikueshme dhe e pyetjeve të përditshme duhet të marrë fund. Energjia nuk është luks; ajo është baza për ekonomi, biznese, shkolla dhe jetesë dinjitoze”, ka shkruar ai në rrjetin social ‘Facebook’.
Haradinaj ka përmendur edhe projektet që kishin nisur gjatë kohës kur ai ishte në krye të Qeverisë, por që më pas u ndërprenë.
“Na duhet të prodhojmë energji në Kosovë. I kam pasë filluar dy projekte për prodhimin e energjisë në Kosovë, me qymyr dhe gazsjellës. Të dy këto projekte u ndërprenë, dhe sot varemi nga tregu, ndërsa çmimet e energjisë varen nga tregtarët”.
Rritja më e madhe e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë është regjistruar gjatë dy viteve të fundit, duke rënduar më tej faturat e konsumatorëve dhe duke ngritur shqetësime mbi përballueshmërinë e kostove energjetike për qytetarët dhe bizneset. Megjithatë, qytetarët vazhdojnë të përballen me mungesë të energjisë elektrike.
Gjatë vitit 2024, shumë komuna të Kosovës u përballën me reduktime të energjisë elektrike.
Për shkak të vjetërsisë disa dekadëshe të termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”, Kosova nuk mund ta sigurojë energjinë e nevojshme për mbi 1.6 milionë banorët e saj.
Prodhim ka edhe nga burimet e ripërtëritshme, por në sasi më të vogla. Prodhimi i pamjaftueshëm bën që një pjesë e konsiderueshme e furnizimit të sigurohet përmes importeve, të cilat janë të shtrenjta.



