Siguria e infrastrukturës kritike energjetike përbën një nga prioritetet kryesore strategjike të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK Sh.A.). Si institucion që menaxhon asetet më të ndjeshme dhe më të rëndësishme të vendit dhe që prodhon rreth 95% të energjisë elektrike të Republikës së Kosovës, KEK është faktor kyç për stabilitetin energjetik dhe funksionimin e qëndrueshëm të sistemit elektroenergjetik të vendit, thuhet në një komunikatë të KEK-ut.
Një nga arritjet më të rëndësishme të këtij viti, si rezultat i vendimeve strategjike të Bordit të Drejtorëve dhe Menaxhmentit të KEK-ut, është krijimi i Departamentit të Sigurisë Fizike të Objekteve – një hap kyç që shënon rikthimin e sigurimit fizik nën kontroll të drejtpërdrejtë institucional pas një periudhe të gjatë. Që nga korriku i vitit 2025, sigurimi fizik funksionon si njësi e brendshme e korporatës, duke garantuar mbikëqyrje të plotë, përgjegjësi të qartë operacionale dhe integrim të plotë të protokolleve të sigurisë me sistemet e menaxhimit të KEK-ut.
“Falë profesionalizmit, trajnimit dhe angazhimit të stafit të këtij departamenti, janë arritur rezultate të prekshme dhe të matshme. Tentimet për hyrje të paautorizuara nga elementë keqdashës janë reduktuar me rreth 90%, ndërsa niveli i kontrollit të brendshëm është përforcuar ndjeshëm, duke ngritur standardet e sigurisë fizike në të gjitha objektet e infrastrukturës kritike të KEK-ut.”
Sipas KEK-ut, ky transformim institucional nuk përfaqëson vetëm një përmirësim operacional, por një ndryshim thelbësor në qasjen strategjike ndaj mbrojtjes së aseteve energjetike të vendit. “Përmes këtij vendimi strategjike të Bordit dhe menaxhmentit, KEK ka forcuar kapacitetet e menaxhimit të rrezikut, parandalimit të incidenteve dhe reagimit ndaj kërcënimeve potenciale, duke ndërtuar themele të forta për një sistem sigurie modern, të qëndrueshëm dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi për infrastrukturën kritike.”
Sot, KEK Sh.A. ndodhet në një nga fazat më zhvillimore të dekadave të fundit, duke ndërmarrë reforma strukturore dhe investime strategjike që synojnë jo vetëm rritjen e kapaciteteve prodhuese, por edhe garantimin e një operimi të sigurt, të qëndrueshëm dhe të besueshëm për qytetarët dhe ekonominë e Republikës së Kosovës.
Përmes forcimit të kontrollit institucional dhe profesionalizmit të vazhdueshëm, KEK riafirmon përkushtimin e saj për mbrojtjen e infrastrukturës kritike energjetike dhe për garantimin e sigurisë afatgjate të sistemit elektroenergjetik të vendit.



