Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) dhe KESCO kanë mbajtur konferencë për media mbi situatën me furnizimin me energjinë elektrike në vend.
Nga KEDS thanë se zonat si Prizreni, Rahoveci, Gjilani e Shtimja janë duke u përballur me kufizime të energjisë elektrike për shkak të mungesës së kapaciteteve të transmisionit.
“E kuptojmë që në disa zona të caktuara për shkak të konsumit të lartë kemi kufizim të energjisë dhe kjo i ka shqetësuar qytetarët. Zonat e prekura nga kufizimi i energjisë elektrike si shkak i mungesës së kapaciteteve të transmisionit e përbëjnë 3-5% të konsumatorëve. Shumica e problemeve nuk ndërlidhen me operatorin e sistemit shpërndarës por me mungesën e kapacitetit bartës të transmisionit. Zonat e prekura janë ato të Prizrenit, Zhurit, Dragashit, Piranës, Rahovecit, Xërxës, Gjilanit, Malishevën, Suharekën, zonën e Shtimes. Shumica e problemeve lidhen me transmisionin. Shumica e problemeve në sistemin shpërndarës janë me tensionin e ulët dhe të mesëm si Shupkoc, Studime, Kçiq, Shalë, Kllokot, Viti”- tha zëdhënësja e KEDS-it, Bleona Dallaveraj.
Dallaveraj tha se piku më i lartë i regjistruar i konsumit në dhjetor ka qenë 1365 MWh, shifër kjo e cila është për 6% më e lartë se konsumi në këtë kohë gjatë vitit të kaluar.
“Nga fillimi i dhjetorit e deri dje, piku ka arritur 1365 MWh si piku më i lartë i regjistruar në këtë kohë dhe nëse e krahasojmë me vitin e kaluar kemi një rritje prej 6%. Sipas parashikimeve tona nëse vazhdon ky trend pritet që piku të kalojë 1500 MWh”- tha ajo.
Ndërkaq, Margarita Rashiti nga KESCO tha se si kompani janë duke importuar energji elektrike për të furnizuar qytetarët, ndërsa bëri thirrje për kursim dhe përdorim racional të energjisë elektrike.
“Në si kompani tentojmë të mbulojmë kërkesën për konsum e cila normalisht rritet dhe për me përmbyll këtë gap-in në mes prodhimit dhe kërkesës për konsum atëherë importojmë energji elektrike. Ne si kompani e kemi përmbushur obligimin tonë dhe do mundohemi në maksimum të ndajmë informata me qytetarët. Ne ju bëjmë thirrje për konsum dhe që përdorimi i energjisë elektrike të jetë në mënyrë racionale”- tha ajo.
Në një konferencë për media sot, më 24.12.2025, nga KOSTT thanë se aktualisht në Kosovë prodhimi i energjisë elektrike është 800 MWh ndërsa rreth 1400 MWh është konsumi.



