Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka reaguar pas publikimit të një tabelë nga bordi dhe menaxhmenti, e cila pretendonte të tregonte rritjen e pagave mesatare të punëtorëve gjatë viteve.
Sindikata thekson se shifrat e publikuara përfshijnë elemente shtesë si shujtat, transportin, sigurimin shëndetësor, pagesat për orë shtesë dhe vikende, përvojën e punëtorëve dhe bonuset, duke fshehur kështu paga bazë reale të punëtorëve, të cilat sipas tyre janë rreth 750 euro.
“Nëse punëtori nuk punon përtej orarit ligjor, nuk punon në vikende dhe nuk sakrifikon shëndetin, nuk arrin këto shifra që prezanton menaxhmenti”, thuhet në reagim.
Sindikata kërkon gjithashtu publikimin e pagave të menaxhmentit, të cilat janë deri 4–5 herë më të larta se paga e punëtorit mesatar.
Në reagim, Sindikata e Re e KEK-ut thekson se nuk kërkon luks, por paga bazë dinjitoze, drejtësi dhe respekt për punën dhe rrezikun që mbajnë çdo ditë punëtorët. Ajo deklaron se do të vazhdojë të kërkojë këto të drejta dhe nuk do të ndikohet nga statistika që nuk pasqyrojnë realitetin në terren.



