Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka mbajtur një takim koordinues me kompanitë e licencuara në sektorin e energjisë, përkatësisht me përfaqësues të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT), Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (KEDS) dhe Furnizuesit me Shërbim Universal (KESCO).
Qëllimi i takimit ishte vlerësimi i sigurisë së furnizimit me energji elektrike gjatë periudhës së fundvitit, një periudhë e cila tradicionalisht karakterizohet me rritje të ndjeshme të konsumit të energjisë elektrike.
Gjatë diskutimeve u trajtuan sfidat kryesore me të cilat përballet rrjeti energjetik gjatë festave, përfshirë ndikimin e kushteve klimatike dimërore në stabilitetin e prodhimit dhe transmetimit, kufizimet teknike të rrjetit dhe nevojën për balancim të vazhdueshëm ndërmjet prodhimit vendor, importit dhe konsumit. Po ashtu, u diskutua për përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare dhe funksionimin e sigurt të sistemit rajonal të energjisë, si dhe për organizimin institucional gjatë periudhës së pushimeve dhe zgjedhjeve qendrore.
Përfaqësuesit e ndërmarrjeve të licencuara prezantuan kapacitetet teknike dhe operative për përballimin e ngarkesave të shtuara, si dhe masat parandaluese të ndërmarra për të garantuar stabilitetin e furnizimit. ZRRE ka kërkuar nga operatorët përgjegjës që të hartojnë dhe përditësojnë planet e menaxhimit të situatave emergjente, duke përfshirë skenarë të mundshëm dhe masa paraprake në rast të situatave të paparashikuara.
ZRRE u ka bërë thirrje qytetarëve dhe bizneseve që gjatë kësaj periudhe të tregohen të kujdesshëm dhe racionalë në përdorimin e energjisë elektrike. Kursimi i energjisë, veçanërisht gjatë orëve të kërkesës maksimale, kontribuon drejtpërdrejt në stabilitetin e sistemit dhe në sigurimin e furnizimit të vazhdueshëm për të gjithë konsumatorët.
Zyra e Rregullatorit për Energji ka bërë të ditur se do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën dhe të bashkëpunojë ngushtë me të gjithë operatorët e sektorit, me qëllim garantimin e një furnizimi të sigurt dhe të qëndrueshëm me energji elektrike.



