Home / Lajme / Kosova / AKB: Shtrenjtimi i energjisë ka goditur rëndë bizneset, kërkohet reagim urgjent i institucioneve

AKB: Shtrenjtimi i energjisë ka goditur rëndë bizneset, kërkohet reagim urgjent i institucioneve

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka mbajtur konferencën e saj vjetore për vitin 2025, ku u theksua se sektori privat në Kosovë është përballur me një nga vitet më të vështira, kryesisht për shkak të rritjes së çmimit të energjisë elektrike, e cila ka sjellë pasoja serioze për prodhimin dhe punësimin.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, deklaroi se shtrenjtimi i energjisë ka krijuar turbulenca të mëdha te bizneset vendore dhe investitorët e huaj, duke çuar në ulje të prodhimit, reduktim të numrit të punëtorëve dhe madje largim të disa kompanive nga Kosova.

“Nuk na ka ardhur mirë asnjë biznesi nga sektori privat me shtrenjtimin e energjisë elektrike. Kemi pasur raste ku kompani kanë zvogëluar prodhimin, kanë larguar punëtorë dhe disa edhe janë zhvendosur nga Kosova. Sfidë mbetet energjia edhe për vitin 2026, ndërsa vendimi i Gjykatës Supreme ende nuk po zbatohet nga ZRRE-ja,” tha Shahini.

Ai kërkoi nga institucionet që të merren seriozisht me ekonominë dhe që Kuvendi i ri të funksionalizohet sa më shpejt për të adresuar këto probleme.

Shahini bëri të ditur se rritja ekonomike për vitin 2025 ishte rreth 3.5%, ndërsa çmimet e produkteve të konsumit u rritën 12–15%, pagat në sektorin privat 18%, por sipas tij kjo nuk e ka kompensuar rritjen e kostos së jetesës. Ai theksoi se shporta e konsumatorit është varfëruar rreth 11% për shkak të shtrenjtimit të energjisë.

“Energjia elektrike e ka goditur drejtpërdrejt qytetarin. Kjo është sinjal i qartë se qeveria e ardhshme duhet ta ketë prioritet ekonominë e brendshme,” u shpreh Shahini.

Kryetari i AKB-së paralajmëroi gjithashtu se eksporti ka rënë, ndërsa importet janë rritur, duke theksuar nevojën për stabilitet politik, siguri për investitorët dhe përmirësim të imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Ndërkohë, drejtoresha e AKB-së, Lumnije Ajdini, tha se oda ka zhvilluar një sërë aktivitetesh për mbështetjen e prodhuesve vendorë, përfshirë takime me fabrika, ambasada dhe partnerë strategjikë, si dhe promovim të produkteve vendore.

“Sektori privat është përballur me sfida serioze. Ne kemi bërë thirrje për konsum të produkteve vendore dhe kërkojmë rifunksionalizimin e Këshillit Ekonomik, si dhe hartimin e një strategjie kombëtare të eksportit për rritjen e eksporteve dhe uljen e importeve,” tha Ajdini.

AKB kërkon që qeveria e ardhshme të ndërtojë një strategji të përbashkët kombëtare për zhvillimin ekonomik, duke krijuar kushte më të sigurta për investime dhe rritje të qëndrueshme të ekonomisë.