Përshtatja me standardet mjedisore dhe ekonominë qarkulluese po kthehet në kusht për mbijetesë dhe integrim evropian.
Ndërsa Shqipëria avancon në procesin e integrimit evropian, një mesazh po bëhet gjithnjë e më i qartë për sektorin privat: pa qëndrueshmëri, nuk ka treg evropian.
Për bizneset shqiptare, veçanërisht mikro, të vogla dhe të mesme, përshtatja me standardet mjedisore dhe sociale të Bashkimit Evropian nuk është më një zgjedhje vullnetare apo trend i përkohshëm, por një kusht real për konkurrueshmëri dhe mbijetesë.
Në qendër të kësaj sfide janë ndërmarrjet e vogla, që përbëjnë mbi 99 për qind të bizneseve aktive në vend dhe mbajnë peshën kryesore të punësimit.
Pikërisht këto biznese do të preken më drejtpërdrejt nga zbatimi gradual i acquis të BE-së për energjinë, menaxhimin e mbetjeve, përdorimin e ujit dhe ekonominë qarkulluese.
Qëndrueshmëria si kusht
Direktivat evropiane për eficiencën energjetike, reduktimin e ndotjes dhe menaxhimin e mbetjeve po kthehen në standarde të detyrueshme për çdo biznes që synon të eksportojë apo të jetë pjesë e zinxhirëve evropianë të furnizimit.
Një kompani që nuk kontrollon konsumin e energjisë, nuk trajton ujërat e ndotura apo nuk menaxhon mbetjet, rrezikon të përjashtohet automatikisht nga tregu.
Kjo vlen veçanërisht për sektorin agro-përpunues – nga vaji i ullirit dhe qumështi, te kantinat e verës dhe përpunimi i frutave – ku BE-ja kërkon gjurmueshmëri, cilësi dhe standarde të qarta mjedisore.
Qëndrueshmëria, në këtë kontekst, nuk është më një etiketë marketingu, por pjesë e produktit vetë.
Financimi evropian kalon nga “filtri i gjelbër”
Një tjetër arsye pse bizneset duhet të veprojnë tani lidhet drejtpërdrejt me aksesin në financim.
Instrumentet evropiane si IPA III, programet e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, Horizon Europe apo skemat e mbështetura nga BERZH dhe EIF po privilegjojnë kompanitë që demonstrojnë angazhim konkret për tranzicionin e gjelbër.
Bizneset që investojnë në eficiencë energjetike, burime të rinovueshme, riciklim apo shfrytëzim të nënprodukteve kanë më shumë gjasa të përfitojnë grante, asistencë teknike dhe kredi të favorshme.
Në të kundërt, mungesa e politikave të qëndrueshme po kthehet në pengesë reale për financim.
Nga detyrim ligjor në avantazh konkurrues
Në fund, tranzicioni drejt praktikave të qëndrueshme nuk ka të bëjë vetëm me përmbushjen e kritereve të BE-së.
Ai lidhet drejtpërdrejt me cilësinë e produkteve shqiptare, reputacionin e tyre në tregjet ndërkombëtare dhe aftësinë për të konkurruar në një ekonomi gjithnjë e më të gjelbër.
Bizneset që e kuptojnë këtë herët do të jenë fituesit e procesit të integrimit.
Të tjerat rrezikojnë të mbeten pas, në një treg ku rregullat po ndryshojnë shpejt dhe toleranca për ndotje, informalitet dhe mungesë standardesh po shkon drejt zeros.
Në këtë kuptim, mesazhi është i qartë: rruga drejt Bashkimit Evropian nuk kalon vetëm nga reformat shtetërore, por edhe nga transformimi i vetë biznesit shqiptar. Dhe kjo rrugë kalon domosdoshmërish nga qëndrueshmëria.
/albanianpost.com



