Home / Highlights / Rizvanolli: Prodhimi i KEK-ut më i lartë se në periudhën 2015–2020

Rizvanolli: Prodhimi i KEK-ut më i lartë se në periudhën 2015–2020

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka shënuar rritje të prodhimit mesatar të energjisë elektrike gjatë viteve 2021–2024, krahasuar me periudhën 2015–2020.

Sipas saj, në këtë periudhë KEK-u ka prodhuar mesatarisht rreth 2% më shumë energji elektrike. Rizvanolli ka theksuar se viti i vetëm me prodhim nën mesatare ka qenë viti 2023, i cili ka përkuar me investimet në dilatimin e bojlerëve, një parakusht teknik i kërkuar nga Bashkimi Evropian për instalimin e filtrave mjedisorë.

Ajo ka sqaruar se edhe rënia e prodhimit gjatë vitit 2025 lidhet me procesin e investimeve, përkatësisht me modernizimin e turbinës dhe ndërhyrje të tjera teknike në bllokun B2 të Termocentralit Kosova B. Sipas Rizvanollit, bëhet fjalë për investimin më të madh në këtë termocentral që nga ndërtimi i tij, më shumë se 40 vjet më parë.

Deklarata vjen në kohën e debatit publik për performancën e sektorit energjetik dhe nivelin e prodhimit vendor të energjisë elektrike, në raport me rritjen e konsumit dhe nevojën për import.