Home / Lajme / Kosova / ZRRE-ja do ta ulë çmimin për ngrohje

ZRRE-ja do ta ulë çmimin për ngrohje

Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës ka vendosur ta ulë çmimin e ngrohjes nga ndërmarrjet publike për konsumatorët në Prishtinë dhe Gjakovë.

Rregullatori i energjisë bëri të ditur për Radion Evropa e Lirë se do ta ulë për 3.8 për qind çmimin e ngrohjes me matje për konsumatorët e Termokosit në kryeqytet, ndërsa për 5 për qind për ata në Gjakovë.

ZRRE-ja pritet ta miratojë këtë ulje sot gjatë një mbledhjeje. Çmimi i tanishëm për ngrohjen me matje është 76 centë për kilovat në muaj, i vendosur vitin e kaluar.

Me çmimin e ri, tani konsumatorët në Prishtinë do të paguajnë 73 centë për kilovat në muaj, ndërsa ata në Gjakovë 72 centë.

Termokosi numëron rreth 25.000 konsumatorë në Prishtinë. Sezoni i ngrohjes nga Termokosi zakonisht nis më 15 tetor dhe vazhdon deri më 15 prill.

Vitin e kaluar, qytetarë të Prishtinës kishin shprehur pakënaqësi me çmimin e ngrohjes, duke e ankuar për faturat e tyre mujore. Kjo ndodhi pas ndryshimit të mënyrës së faturimit atë vit nga ndërmarrja publike Termokos. Disa nga ankuesit dyshonin se matja e konsumit nuk ishte bërë siç duhet.

Termokos përcaktonte faturimin bazuar në sipërfaqen e hapësirave të banesave apo shtëpive, me një çmim prej 76 centësh për metër katror.

Por, nga viti i kaluar, ajo filloi ta bëjë faturimin bazuar në matës të shkallës së shfrytëzimit të ngrohjes.

/REL