Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në disa komuna të Kosovës, përfshirë Drenasin, Malishevën dhe Rahovecin.
Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar se ndërprerja në zonën e Drenasit është bërë për arsye sigurie, pasi uji ka depërtuar në nënstacionin Drenas 220/10 kV, duke paraqitur rrezik serioz për funksionimin e sigurt të rrjetit elektrik.
Sipas KEDS-it, situata është vlerësuar si e rrezikshme për vazhdimin e furnizimit, ndaj është ndërmarrë masa e ndaljes së energjisë elektrike për të shmangur dëme të mundshme dhe rreziqe për sigurinë publike. Autoritetet përkatëse, përfshirë Policinë dhe Njësinë e Zjarrfikësve, janë njoftuar dhe ndodhen në koordinim të vazhdueshëm për menaxhimin e situatës në terren.
Gjendja mbetet e paqëndrueshme edhe në komunat e Malishevës dhe Rahovecit, ku për shkak të vërshimeve është ndërprerë furnizimi me energji elektrike, gjithashtu për arsye sigurie. KEDS ka bërë të ditur se ekipet e saj janë të angazhuara në terren dhe po punojnë intensivisht për të menaxhuar pasojat e motit të keq dhe për të rikthyer furnizimin me energji elektrike sapo të krijohen kushte të sigurta për operim.
Nga KEDS theksohet se publiku do të njoftohet me kohë për çdo zhvillim të ri dhe për rikthimin e furnizimit, ndërsa qytetarëve u është kërkuar mirëkuptim deri në stabilizimin e plotë të situatës.



