Kompania ndërkombëtare ContourGlobal ka vënë në funksion sistemin e ruajtjes së energjisë me bateri ContourGlobal Maritsa BESS në Bullgari, me kapacitet 202 MW fuqi të instaluar dhe 500 MWh kapacitet magazinimi. Projekti konsiderohet një nga instalimet më të mëdha të këtij lloji në Evropën Lindore dhe një investim strategjik për rritjen e fleksibilitetit dhe stabilitetit të sistemit energjetik bullgar.
Sistemi është ndërtuar në zonën e kompleksit energjetik Maritsa East 3, duke shfrytëzuar infrastrukturën ekzistuese të lidhjes me rrjetin elektrik. Kjo ka mundësuar integrim më të shpejtë dhe më efikas në sistemin kombëtar të transmetimit dhe ka ulur kostot e përgjithshme të zhvillimit të projektit.
BESS-i tashmë po operon në tregun e energjisë, duke marrë pjesë në tregjet ditore dhe brendaditore, me qëllim optimizimin e balancimit ndërmjet prodhimit dhe konsumit. Sistemi ruan energjinë në periudhat kur ka tepricë prodhimi dhe e rikthen atë në rrjet gjatë orëve të pikut, duke kontribuar në stabilitetin e frekuencës, sigurinë e furnizimit dhe uljen e nevojës për kapacitete rezervë konvencionale, raporton Energy Monitor.
Projekti është mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian përmes mekanizmit NextGeneration EU, në kuadër të Planit Kombëtar të Rimëkëmbjes dhe Reziliencës të Bullgarisë. Autoritetet bullgare e kanë vlerësuar këtë investim si një element kyç të modernizimit të sektorit energjetik dhe si një bazë të rëndësishme për integrimin më të madh të burimeve të ripërtëritshme në rrjet.
Nga ana teknike, instalimi mbulon një sipërfaqe prej rreth 25 mijë metra katrorë dhe përbëhet nga mbi njëqind njësi baterish dhe dhjetëra sisteme konvertimi dhe transformimi të energjisë, të cilat mundësojnë injektimin e energjisë së ruajtur në rrjet në mënyrë të kontrolluar dhe të sigurt. Projekti është realizuar në një afat relativisht të shkurtër, nga vendimi final i investimit deri në nisjen e operimit komercial.
Angazhimi i ContourGlobal në Kosovë: Nuk iu lejua të ndërtoj termocentralin e ri me qymyr
Ndryshe, ContourGlobal ishte përzgjedhur nga Qeveria e Kosovës për të ndërtuar termocentralin e ri me qymyr, ‘Kosova e Re’.
Madje, në fund të vitit 2017 Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar disa marrëveshje me kompaninë për ndërtimin e termocentralit me kapacitet prej 500 megavatësh, e që do të kushtonte rreth 1.3 miliard euro.
Si i tillë, ky projekt përfaqësonte investimin më të madh të huaj në Kosovë, raporton Energy Monitor.
Në mars të po këtij viti, kompania ContourGlobal kishte njoftuar se do të tërhiqet nga planet për ndërtimin e termocentralit, me arsyen se kompania nuk e ka ndërmend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmen, por po ashtu ishin theksuar edhe ndryshimet politike që kishin ndodhur në Kosovë.
Në atë kohë në pushtet ishte koalicioni qeverisës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.



