Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar zyrtarisht se është zgjatur afati për dorëzimin e aplikimeve në kuadër të Fazës së Përzgjedhjes Fillestare (Parakualifikimit) për projektin strategjik “Solar4Kosovo I Photovoltaics”, një park diellor me kapacitet prej 100 megavat.
Afati i ri për dorëzimin e aplikimeve është 6 shkurt 2025, ora 10:00, ndërsa të gjitha kushtet e tjera të thirrjes për përzgjedhje mbeten të pandryshuara. Zgjatja e afatit synon t’u ofrojë operatorëve ekonomikë më shumë kohë për përgatitjen e aplikimeve cilësore, si dhe të rrisë konkurrencën dhe pjesëmarrjen e kompanive të kualifikuara vendore dhe ndërkombëtare.
KEK inkurajon të gjitha kompanitë me përvojë dhe kapacitete të përshtatshme të përfshihen në këtë proces, i cili zhvillohet në mënyrë transparente dhe konkurruese. Dokumentacioni i përditësuar është në dispozicion në faqen zyrtare të KEK-ut dhe në platformat përkatëse të prokurimit.
Ky projekt konsiderohet një nga investimet më të rëndësishme në sektorin e energjisë së ripërtëritshme në Kosovë, duke synuar të rrisë pjesëmarrjen e energjisë diellore në bilancin kombëtar dhe të kontribuojë në zgjidhjen e sfidave energjetike afatgjata të vendit.



