Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, është lajmëruar nga Riyadhi, ku Kosova po merr pjesë për herë të parë në iniciativën ndërkombëtare “Future Minerals Forum”, të udhëhequr nga Mbretëria e Arabisë Saudite. Ajo ka theksuar se sektori i minierave do të jetë prioritet i Qeverisë në ardhje të Republikës së Kosovës.
Sektori i minierave pritet të rikthehet fuqishëm në fokusin strategjik të Kosovës. Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se Qeveria e ardhshme e Republikës së Kosovës synon ta vendosë këtë sektor ndër prioritetet kryesore zhvillimore, me investime të drejtpërdrejta prej rreth 50 milionë eurosh në hulumtime minerare dhe me një investim strategjik në Trepçë.
Sipas Rizvanollit, plani për Trepçën parasheh përfshirjen e një korporate me përvojë ndërkombëtare nga një vend mik, çka sinjalizon një qasje të re ndaj menaxhimit dhe zhvillimit të pasurive minerare të vendit. Ky hap shihet si përpjekje për ta transformuar sektorin nga një trashëgimi problematike në një shtyllë moderne të ekonomisë së Kosovës.
Në këtë kontekst, Kosova ka marrë pjesë për herë të parë në iniciativën ndërkombëtare “Future Minerals Forum”, të udhëhequr nga Mbretëria e Arabisë Saudite. Ftesa për pjesëmarrje ka ardhur drejtpërdrejt nga Ministri për Industri dhe Minerale i Arabisë Saudite, Bandar I. Alkhorayef, dhe sipas autoriteteve kosovare, përfshirja vjen në një moment vendimtar për ambiciet minerare të vendit.





Forumi, i mbajtur në Riyadh, ka mbledhur mbi 100 shtete dhe më shumë se 70 organizata dhe biznese nga e gjithë bota, duke u shndërruar në një nga platformat më të rëndësishme globale për të ardhmen e sektorit minerar. Pjesëmarrja e Kosovës u cilësua si mundësi e rëndësishme për t’u pozicionuar në një iniciativë që synon ndërtimin e zinxhirëve të integruar të vlerës, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe vendosjen e standardeve të përgjegjshme, të qëndrueshme dhe transparente të furnizimit me minerale.
Sipas Rizvanollit, ky angazhim ndërkombëtar hap dyer të reja për bashkëpunim strategjik, transferim të njohurive dhe të teknologjisë, si dhe për rritjen e besueshmërisë së Kosovës në tregjet globale të mineraleve kritike.
Me investime të paralajmëruara, partnerë ndërkombëtarë dhe pjesëmarrje në iniciativa globale të nivelit të lartë, sektori i minierave duket se po hyn në një fazë të re. Nëse planet konkretizohen, Trepça dhe pasuritë minerare të Kosovës mund të shndërrohen nga potencial i pashfrytëzuar në motor real të zhvillimit ekonomik dhe gjeoekonomik të vendit.



