Home / Lajme / Rajoni / Rama në Abu Dabi paralajmëron projekte energjetike strategjike me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Italinë

Rama në Abu Dabi paralajmëron projekte energjetike strategjike me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Italinë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se vendi synon të shesë energji të ripërtëritshme në shtetet e Bashkimit Evropian përmes projekteve strategjike të përbashkëta me Italinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Deklarata u bë gjatë pjesëmarrjes së tij në një panel në kuadër të Samitit të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm, i mbajtur në Abu Dabi.

Rama theksoi se Shqipëria aktualisht prodhon 100 për qind të energjisë elektrike nga burime të ripërtëritshme, kryesisht hidrocentrale, por mbetet e ekspozuar ndaj kushteve klimatike. “Ne nuk kemi energji nga karburantet fosile. Varemi nga moti. Kur nuk ka reshje, jemi të detyruar të importojmë energji”, u shpreh ai, duke shtuar se vitet e fundit janë bërë investime të konsiderueshme edhe në energjinë diellore dhe atë të erës.

Sipas kryeministrit, plani afatmesëm i qeverisë po ecën sipas parashikimeve dhe objektivi është që deri në fund të vitit 2028 Shqipëria të arrijë sovranitet të plotë energjetik. “Synimi ynë është që të mos kemi më nevojë të blejmë energji nga jashtë”, deklaroi Rama.

Një pjesë kyçe e kësaj strategjie është bashkëpunimi trepalësh ndërmjet Shqipërisë, Italisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Rama theksoi se ambicia është krijimi i një baze të qëndrueshme prodhimi energjie në Shqipëri, me kapacitete që pritet të arrijnë deri në 3 gigavat. Përmes kabllit ndërlidhës me Italinë, kjo energji do të mund të eksportohet drejt tregjeve evropiane.

“Qëllimi është t’i shërbejmë Evropës me energji të gjelbër dhe, njëkohësisht, të krijojmë vlerë ekonomike për vendin”, tha Rama, duke nënvizuar se projekti synon jo vetëm sigurinë energjetike të Shqipërisë, por edhe pozicionimin e saj si aktor rajonal në tregun evropian të energjisë së ripërtëritshme.

Deklaratat e kryeministrit vijnë në një kohë kur energjia e gjelbër dhe siguria e furnizimit janë kthyer në çështje strategjike për Bashkimin Evropian, duke hapur hapësirë për vende si Shqipëria që të shfrytëzojnë potencialin e tyre natyror për prodhim dhe eksport energjie.