Ndryshimet klimatike, reshjet intensive dhe faktorë të tjerë mjedisorë po rrisin ndjeshëm rrezikun nga vërshimet në Kosovë, duke e kthyer menaxhimin e përmbytjeve në një nga sfidat kryesore për institucionet publike. Përballë kësaj situate, autoritetet kanë nisur ndërtimin e një sistemi më funksional të intervenimit të shpejtë dhe të parandalimit afatgjatë.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka bërë të ditur se hartat e detajuara të rrezikut nga vërshimet tashmë janë përfunduar dhe pritet të publikohen përmes Sistemit Informativ Ujor. Këto harta synojnë të ofrojnë një pasqyrë të qartë të zonave më të ekspozuara ndaj përmbytjeve dhe të shërbejnë si bazë për planifikim dhe vendimmarrje më të mirë.
Paralelisht, Plani Emergjent i Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave është përditësuar, ndërsa dokumenti për intervenime teknike të menjëhershme është finalizuar. Sipas Ministrisë, këto hapa janë thelbësorë për të rritur gatishmërinë institucionale dhe për të zvogëluar dëmet në rast të situatave ekstreme.
Në këtë kuadër, ministri Durmishi ka thirrur në një takim të përbashkët të gjithë akterët kyç qendrorë, përfshirë Ministrinë e Ekonomisë, Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, kompanitë rajonale të ujësjellësit, ndërmarrjen Ibër Lepenc, si dhe Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim. Qëllimi i takimit ishte dakordimi i një plani të përbashkët veprimi për intervenime të shpejta dhe të koordinuara në terren.
Plani i dakorduar pritet të zbatohet përmes investimeve konkrete nga buxheti i vitit 2026, duke synuar kalimin nga një qasje reaguese në një model parandalues. Sipas Ministrisë, fokusi do të jetë në koordinimin institucional, veprimet konkrete në terren dhe rezultate të matshme për qytetarët, në mënyrë që rreziku nga përmbytjet të menaxhohet më mirë dhe pasojat e tyre të minimizohen.



