Reduktimet e energjisë elektrike të ditëve të fundit kanë nxjerrë në pah brishtësinë e sistemit elektroenergjetik në Kosovë dhe mungesën e koordinimit efektiv mes aktorëve kyç të sektorit. Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka reaguar duke ngritur shqetësime serioze për mënyrën se si janë menaxhuar mosbalancimet në sistem dhe për pasojat direkte që këto zhvillime kanë pasur mbi konsumatorët.
Sipas komunikimeve zyrtare, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) ka raportuar mosbalanca të theksuara në zonën e kontrollit, duke e detyruar operatorin të ndërhyjë me kufizime të ngarkesës për të ruajtur stabilitetin e sistemit. Në të njëjtën kohë, furnizuesi KESCO ka njoftuar se nuk ka qenë në gjendje të mbulojë plotësisht kërkesën, duke e lidhur situatën me rritjen e konsumit dhe vështirësitë në sigurimin e energjisë. Edhe pse më pas është komunikuar se gjendja është normalizuar, fakti që konsumatorët janë përballur realisht me reduktime dëshmon për dështime serioze në planifikim, nominim dhe balancim në një moment kritik për sistemin.
INDEP thekson se furnizimi me energji elektrike nuk mund të trajtohet si një shërbim i zakonshëm tregtar. Ai është një shërbim publik esencial, i garantuar me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe me kornizën rregullatore të cilësisë së shërbimit. Këto akte përcaktojnë qartë se konsumatorët kanë të drejtë në furnizim të vazhdueshëm dhe cilësor, ndërsa ndërprerjet dhe reduktimet duhet të mbeten përjashtim dhe jo praktikë e përsëritur. Kur këto standarde nuk respektohen, lind obligimi ligjor për masa korrigjuese dhe për kompensim të konsumatorëve, siç parashihet edhe në Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit.
Në këtë kontekst, INDEP vlerëson se mosnominimet e mjaftueshme të energjisë dhe devijimet e mëdha nga planet e balancimit nuk mund të relativizohen si çështje thjesht teknike. Ato përbëjnë rrezik sistemik për sigurinë e furnizimit dhe kërkojnë hetim të plotë rregullator për të sqaruar përgjegjësitë kontraktuale dhe institucionale. Sipas institutit, konsumatorët nuk mund dhe nuk duhet të bartin koston e gabimeve në planifikim, tregtim apo menaxhim të sistemit, ndërsa çdo reduktim duhet të shoqërohet me transparencë, masa ndaj palëve përgjegjëse dhe zbatim të mekanizmave ligjorë të kompensimit.
Përtej krizës së fundit, reagimi i INDEP-it nxjerr në pah probleme më të thella strukturore në sektorin energjetik. Vitet e vonesave në investime, modernizim dhe hapje reale të tregut kanë krijuar një sistem të brishtë, i cili reagon me reduktime sa herë që konsumi rritet ose prodhimi vendor përballet me vështirësi. Investimet në efiçiencë të energjisë, sipas institutit, nuk mund të mbeten të fragmentuara dhe të varura nga projekte të izoluara donatorësh, por duhet të shndërrohen në program kombëtar që lidh të dhënat reale të konsumit me masa konkrete kursimi dhe me zgjerimin e kapaciteteve prodhuese të qëndrueshme.
INDEP po ashtu kërkon zhvendosje të fokusit shtetëror nga subvencionimi i sheshtë i faturave drejt investimeve në infrastrukturë inteligjente dhe fleksibile, e cila rrit performancën e sistemit dhe mbron konsumatorët në afatgjatë. Një vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet edhe konsumatorëve të cenueshëm dhe luftës kundër varfërisë energjetike, përmes politikave të targetuara dhe jo masave ad-hoc.
Instituti për Politika Zhvillimore ka paralajmëruar se do të vazhdojë monitorimin e sektorit dhe nxitjen e politikave që forcojnë sigurinë e furnizimit dhe mbrojtjen e konsumatorëve. Në një kontekst ku tranzicioni energjetik po vonohet, tregu mbetet i brishtë dhe çmimet pritet të vazhdojnë rritjen, energjia – sipas INDEP-it – duhet të trajtohet si urgjencë kombëtare dhe jo thjesht si çështje operative, në mënyrë që krizat e ngjashme të mos përsëriten.



