Tranzicioni i gjelbër kërkon marrjen e një sërë masave nga ana e vendeve të ndryshme për të arritur objektivat e vendosur.
Por jo të gjithë vendet kanë mundësi që t’i përgjigjen me kapacitetin e nevojshëm njerëzor këtyre masave edhe për shkak të profileve arsimore dhe trajnimeve që duhet të ndiqen.
Konkretisht Shqipëria është një nga ato me pjesëmarrje të ulët në arsimin profesional që mund të shërbejë si një udhëheqës në këtë aspekt sa i takon nevojave për kapacitetin njerëzor.
Një raport i Fondacionit Europian të Trajnimeve analizon modelet e arsimore në të gjithë rajonin duke i parë në këndvështrimin e kapaciteteve që kanë këto sisteme kombëtare për t’iu përgjigjur tranzicionit të gjelbër dhe atij energjetik.
“Ndryshimet në nivelet e arritjes arsimore përcaktojnë si shkallën, ashtu edhe natyrën e zhvillimit të aftësive të nevojshme: vende si Shqipëria, ku pjesëmarrja në arsimin profesional mbetet relativisht e ulët, përballen me një nevojë urgjente për trajnim afatshkurtër, të orientuar drejt praktikës, për të mbështetur masa që kërkojnë shumë fuqi punëtore, siç janë ndërhyrjet për rritjen e eficiencës energjetike.
Në të kundërt, sistemet me pjesëmarrje më të lartë në arsimin e lartë, si Gjeorgjia ose Ukraina, duhet të japin përparësi rrugëve të konvertimit dhe specializimeve të aplikuara për t’iu përgjigjur roleve të reja teknike dhe menaxheriale në fushën e energjive të rinovueshme dhe integrimit të rrjeteve energjetike (Vakulchuk & Overland, 2024). Këto dallime strukturore nënvizojnë rëndësinë e përafrimit të strategjive të zhvillimit të aftësive me profilet e arritjeve arsimore, në mënyrë që tranzicioni të jetë njëkohësisht efektiv dhe gjithëpërfshirës” thuhet në raport.
I njëjti analizon edhe mënyrën sesi orientohen zgjidhjet për masat e tranzicionit të gjelbër të lidhur ngushë me ndryshimet klimatike. Një nga këto elementë është ajo e uljes së emetimeve të karbonit.
“Emetimet e karbonit në vendet partnere të ETF-së ndryshojnë ndjeshëm, duke reflektuar dallime të mëdha në përmasat e ekonomisë. Në përputhje me këto dallime, vendet ndryshojnë ndjeshëm edhe për sa i përket emetimeve të gazeve serrë (GHG).
Burimi më i madh i emetimeve është sektori i energjisë, me diferenca në peshën e tij në totalin e emetimeve (duke përjashtuar FOLU) që variojnë nga 93% në Turkmenistan deri në 62% në Shqipëri, me një mesatare prej 90.5%, e ndarë pothuajse në mënyrë të barabartë midis prodhimit dhe kërkesës për energji” thuhet në raport. Në këtë aspekt ajo që e favorizon Shqipërinë sa i takon emetimeve është fakti që prodhimi i energjisë është i mbështetur nga hidrocentralet çka e bën atë të pastër.
/monitor.al



