Kosova po përballet me një krizë serioze energjetike, si pasojë e mungesave të mëdha në prodhimin vendor dhe devijimeve të theksuara në balancimin e sistemit elektroenergjetik.
Kështu ka vlerësuar profesori i energjetikës, Vezir Rexhepi, në FIVE të TV Dukagjinit, duke komentuar situatën e krijuar pas paralajmërimeve të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) për vështirësi në furnizim me energji elektrike.
Sipas Rexhepit, problemet e ditëve të fundit janë thelluar sidomos pas rënies nga sistemi të një blloku të Termocentralit Kosova B, çka ka krijuar mungesë prej rreth 250 deri në 260 megavatë energji elektrike.
“Jemi në një krizë energjetike. Për fat të keq ditëve të fundit dhe çdo ndërprerje e energjisë elektrike, në këtë rast kemi rënie të një blloku, të Kosovës B. Që do të thotë janë mungese 250 deri në 260 megavatë në sistemin elektronergjetik. Dhe përgjegjës për balancin energjetik, është KOSTT. Kështu që në këto situata KOSTT, monitorohet nga sistemi ndërkombëtar ENTSO-e. Për shkak se çdo de-balancën shkakton kokëçarje të madhe edhe në rrjetet tjera, ose në operatorët tjerë të sistemeve elektroenergjetike. Se ata duhet ta mbulojnë këtë de-balancë nëse nuk mundet KOSTT.
Janë këto shërbime ndihmese, të rënies së blloqeve. E kemi shërbimin terciar të cilin duhet ta siguroj KOSTT. Kjo nuk është në pafundësi, kjo është për disa orë, deri sa të ketë një stabilizimin prej akterëvë që janë përgjegjës për furnizimin me energji elektrike. Një mungese e madhe energjisë shkakton kokëçarje të madhe dhe humb besimin te operatori i transmionit që të operojë sipas standardeve që kërkohen në kuadër të operimit në sistemin elektroenergjetik evropian”, ka thënë Rexhepi.
Ndërkohë, KOSTT ka paralajmëruar se për shkak të devijimeve të mëdha ndërmjet energjisë së nominuar dhe kërkesës reale, është detyruar të kërkojë aplikimin e kufizimeve të ngarkesës si masë e fundit për garantimin e operimit të sigurt të sistemit, derisa situata të stabilizohet.
/dukagjini.com



