Home / Lajme / Energjia e ripërtëritshme / Sot mbahet sesioni i fundit informues për Skemën e Granteve për Energji të Pastër

Sot mbahet sesioni i fundit informues për Skemën e Granteve për Energji të Pastër

Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se sot, më 22 janar, do të mbahet sesioni i fundit informues për Skemën e Granteve për Energji të Pastër, i cili njëherësh paraqet edhe mundësinë e fundit për informim para mbylljes së thirrjes publike.

Në këtë sesion ftohen të marrin pjesë bizneset dhe palët e interesit, ndërsa takimi do të mbahet nga ora 10:00, në Hotel “Sirius” në Prishtinë.

Në kuadër të kësaj skeme, bizneset mund të përfitojnë mbështetje financiare deri në 25,000 euro, për investime që lidhen me energjinë e pastër dhe rritjen e efiçiencës së energjisë. Projekti financohet nga Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe zbatohet nga KIESA/MINT, në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë dhe LuxDev – Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor.

Të drejtë aplikimi kanë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, si dhe ndërmarrjet e mëdha që nuk përfitojnë nga tarifat e rregulluara të energjisë elektrike, me prodhim ose përpunim si aktivitet primar apo sekondar.

Skema synon të mbështesë bizneset prodhuese dhe përpunuese që dëshirojnë të investojnë në teknologji të gjelbra, të rrisin efiçiencën e energjisë dhe të kontribuojnë në tranzicionin drejt energjisë së pastër. Ajo zbatohet përmes tri masave: sistemet solare dhe bateritë për ruajtjen e energjisë, masat e efiçiencës së energjisë në ndërtesa, si dhe pajisjet që ulin konsumin e energjisë në linjat e prodhimit.

Mbështetja financiare arrin deri në 20,000 euro për një masë të vetme dhe deri në 25,000 euro për masa të kombinuara, ndërsa afati i fundit për aplikim është 31 janari 2026.

/Energy Monitor