Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Ekonomisë së Republikës së Kosovës, Leonita Shabani Mullarama, po merr pjesë në Konferencën e 8-të të Biomasës së Evropës Qendrore (CEBC 2026), e cila po mbahet nga 21 deri më 23 janar në Graz të Austrisë, një nga ngjarjet më të rëndësishme evropiane në fushën e bioenergjisë.
Kosova po përfaqësohet nga një delegacion i gjerë që përfshin përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, kryetarë komunash, sektorin privat, Ngrohtoren e Qytetit të Gjakovës, projektin CNVP si dhe partnerë ndërkombëtarë. Konferenca ka mbledhur mbi 1,400 pjesëmarrës nga më shumë se 50 vende, përfshirë politikëbërës, studiues dhe përfaqësues të industrisë, të cilët po diskutojnë rolin e bioenergjisë në tranzicionin energjetik dhe objektivat e neutralitetit klimatik në Evropë.
Në kuadër të konferencës është mbajtur edhe një sesion i veçantë i dedikuar biomasës së drurit në Kosovë, ku u prezantuan përvojat vendore dhe mundësitë konkrete për investime në sisteme të qëndrueshme të ngrohjes. Në fjalën e saj, Shabani Mullarama theksoi sfidat strukturore të sektorit energjetik në Kosovë, përfshirë varësinë e lartë nga termocentralet me linjit dhe nevojën urgjente për diversifikim drejt burimeve të pastra dhe të ripërtëritshme.
Ajo vuri në pah se Strategjia e Energjisë 2022–2031 parasheh rritje të investimeve në energjinë e ripërtëritshme, efiçiencën e energjisë, fleksibilitetin e sistemit dhe zhvillimin e ngrohjes qendrore. Si shembull konkret, ajo përmendi Ngrohtoren e Qytetit të Gjakovës, e cila funksionon me biomasë dhe është mbështetur nga Bashkimi Evropian, duke e cilësuar si model të suksesshëm të tranzicionit energjetik.
Sipas saj, biomasa në Kosovë ka potencial të konsiderueshëm, por vazhdon të jetë e nënshfrytëzuar. Ministria e Ekonomisë, tha ajo, vlerëson kontributin e projekteve dhe partnerëve zhvillimorë në identifikimin e këtij potenciali dhe në përgatitjen e studimeve të fizibilitetit për sisteme të ngrohjes qendrore në disa komuna të vendit.
Pjesëmarrja e Kosovës në CEBC 2026 konfirmon angazhimin për bashkëpunim rajonal dhe evropian, si dhe synimin për të ndërtuar partneritete që mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm energjetik dhe mbrojtjen e mjedisit.



