Rreth 350 mijë euro janë investuar në përmirësimin e efiçiencës së energjisë në Shkollën e Mesme Ekonomike “Isa Boletini” në Podujevë, investim që ka siguruar kushte më të mira për mbi 1 mijë nxënës dhe rreth 100 mësimdhënës, raporton KosovaPress.
Në ceremoninë e përurimit të këtyre investimeve mori pjesë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka theksuar se renovimi ka rezultuar në ambiente më të ngrohta, ndriçim të përshtatshëm dhe siguri më të lartë për procesin mësimor.
“Me rastin e përurimit të renovimit të shkollës që ka rezultuar në ambiente më të ngrohta, me ndriçim të përshtatshëm dhe me siguri të lartë. Këtu janë rreth 3 mijë metra katrorë, pra është një shkollë e madhe me mbi 1 mijë nxënës dhe me rreth 100 mësimdhënës të cilët tash do t’i kenë kushtet moderne për mësimdhënie e mësim nxënie. Bëhet fjalë për katër shkolla gjithsej në Podujevë, në të cilat kemi investuar si Qeveri e Republikës së Kos0ovës 750 mijë euro, por, edhe po aq, gjithsej 1 milionë e gjysmë edhe me mbështetje e BE-së. Synimi ynë është që sa më shumë fëmijët, nxënësit, rinia të kenë kushte për arsimim cilësor dhe në këtë mënyrë të përgatiten për avancimet e tyre në karriere, kësisoj t’i kontribuojnë vetes, familjes, shtetit e ekonomisë sonë… Në këtë shkollë gjithsej investimi është 350 mijë euro”, tha Kurti.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se shkolla “Isa Boletini” është një nga katër shkollat në Podujevë që po rinovohen përmes Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, pjesë e një programi që përfshin 17 shkolla në katër komuna të Kosovës.
“Shkolla “Isa Boletini” është një ndër katër shkollat të cilat po investojmë në Podujevë përmes Fondit të Kosovës për të rritur Efiçiencën e energjisë. Këto janë ndër 17 shkolla në katër komuna të ndryshme të Kosovës që po rinovohen përmes një fondi që Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë para rreth 2 vitesh. Punët kanë filluara para një viti dhe kanë përfunduar me saktësi. Kursimi i energjisë dhe rritja e efiçiencës së energjisë është një ndër shtyllat kryesore të strategjisë sonë të energjisë. Kjo na mundëson që të kemi edhe faturat më të ulëta, mirëpo edhe të përmirësohen kushtet, në këtë rast nxënësit dhe mësimdhënësit, mirëpo edhe për mijëra pacientë e qytetarë në gjithë vendin. Përgjatë mandatit të kaluar në Kosovë kemi pasur investime rekorde në Efiçiencë të energjisë. Përderisa para vitit 2021, investimet në Efiçiencë të energjisë kanë qenë të neglizhuara, përgjatë këtij mandati kemi investuar në total rreth 42 milionë euro në përmirësimin e efiçiencës së energjisë, në ndërtesa publike, në ndërtesa shume banesore për familje në nevoje si dhe në shtëpi individuale”, ka theksuar Rizvanolli.
Zëvendësdrejtoresha e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Ardiana Bokshi, bëri të ditur se deri më tani janë realizuar mbi 100 projekte në 25 komuna të Kosovës, kryesisht në sektorin publik.
“Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë që nga themelimi ka investuar në sektorin publik, dhe sektori publik akoma mbetet një shtyllë kuçe për të realizuar projekte tjera investive në procesin e tranzicionit të energjisë. Deri më sot janë realizuar më shumë se 100 projekte, në 25 komuna në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Dhe këto investime i kanë përfshirë institucionet e ndryshme”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, tha se shkolla tashmë është pothuajse e re, duke përfshirë izolimin, kulmin dhe sistemin e ngrohjes.
“Po shohim që kemi një shkollë pothuajse të re që është investuar edhe në kuptimin e izolimit, kulmit, por edhe tek kaldajës për ngrohje publike të shkollës”, ka thënë Bulliqi.
/Kosovapress



