Home / Lajme / Kosova / KEK në regjim të jashtëzakonshëm: 3 njësi të Kosova A në operim për 1 muaj – angazhim i madh i 4 mijë punëtorëve

KEK në regjim të jashtëzakonshëm: 3 njësi të Kosova A në operim për 1 muaj – angazhim i madh i 4 mijë punëtorëve

Sipas njoftimit zyrtar për media të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), që nga 19 dhjetori korporata ka operuar në një regjim të jashtëzakonshëm prodhimi, duke mbajtur paralelisht në punë tri blloqe të Termocentralit Kosova A për gjithsej 31 ditë. Ky nivel operimi përfaqëson një ngarkesë të lartë teknike dhe njerëzore për termocentralin më të vjetër në vend.

KEK bën të ditur se gjatë kësaj periudhe, operimi me tri njësi të Kosovës A është realizuar në mënyrë të shpërndarë përgjatë muajve dhjetor, janar dhe shkurt, duke reflektuar një menaxhim intensiv dhe fleksibël të kapaciteteve prodhuese në funksion të stabilitetit të sistemit energjetik.

Në njoftim theksohet se standardi operativ i pasluftës ka qenë operimi me katër njësi gjeneruese – dy nga Kosova A dhe dy nga Kosova B – ndërsa një njësi ka shërbyer gjithmonë si rezervë e nxehtë për siguri dhe reagim emergjent. Megjithatë, për shkak të rritjes së konsumit dhe nevojës për siguri energjetike, KEK ka kaluar në një regjim të jashtëzakonshëm, duke arritur të operojë me pesë njësi gjeneruese njëkohësisht për rreth 30 ditë.

Ky operim mbi standardin normal ka përfshirë tri njësi nga Kosova A dhe dy njësi nga Kosova B, dhe ka kërkuar angazhim maksimal teknik, mirëmbajtje të përshpejtuar si dhe mobilizim të vazhdueshëm të stafit operativ dhe inxhinierik.

Sipas planifikimeve aktuale të KEK-ut, njësia A5 pritet të rikthehet në operim brenda disa ditëve, duke iu bashkuar katër njësive aktuale gjeneruese. Kjo do të mundësojë vazhdimin e operimit të përforcuar me pesë njësi aktive, në funksion të garantimit të stabilitetit të furnizimit me energji elektrike në vend.

KEK vlerëson se ky regjim operimi nuk është thjesht një tregues teknik, por rezultat i punës së pandërprerë të rreth 4,000 punonjësve të saj, të cilët, edhe në kushte të ngarkesës maksimale, kanë arritur të mbajnë në funksion kapacitete të vjetra, por jetike për sigurinë energjetike të Republikës së Kosovës.

Korporata Energjetike e Kosovës thekson se do të vazhdojë të qëndrojë në krye të detyrës, duke garantuar prodhimin vendor dhe sigurinë energjetike të vendit, veçanërisht në periudha me kërkesë të lartë për energji elektrike.