KESCO ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRRE) që të miratohen të hyrat maksimale për vitin 2026 në vlerë prej rreth 530 milionë euro, një kërkesë që parashikohet të çojë në shtrenjtim të tarifave të energjisë elektrike prej rreth 21% nga 1 prilli.
Sipas KESCO-s, vetëm për import të energjisë elektrike pritet të shpenzohen rreth 230 milionë euro, pasi importi do të përbëjë rreth 9% të nevojës totale për vitin e ardhshëm. Përveç kësaj, kompanitë energjetike kanë kalkuluar shpenzime për mirëmbajtje, kostot e bartshme dhe korrigjime të tjera që përfshijnë rreth 50 milionë euro, duke çuar kërkesën finale për të hyrat e lejuara në 528.78 milionë euro.
Propozimi i ZRRE-së për rritjen rreth 21% të çmimit të energjisë elektrike vjen vetëm një vit pas një shtrenjtimi prej 16,1%, duke shkaktuar shqetësime të thella për efektin e saj mbi buxhetet familjare, funksionimin e bizneseve dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë vendore.
Ekspertët paralajmërojnë se kjo rritje mund të reflektohet në çmime më të larta të produkteve dhe shërbimeve, duke rrezikuar fuqinë blerëse të qytetarëve dhe stabilitetin ekonomik të vendit.
Sipas kryetarit të Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, një rritje eventuale e çmimit të rrymës, sipas kërkesës së ZRRE-së, do të ishte jashtëzakonisht e dëmshme për Kosovën.
Ai ka thënë se vendi rrezikon të humbasë investimet dhe interesimin e investitorëve të huaj, pasi do të shndërrohej në një nga vendet më të shtrenjta në Evropë për sa i përket kostos së infrastrukturës dhe energjisë.
Ish-ministri i Industrisë dhe Tregtisë, Ismet Mulaj, thotë se rritja e çmimit të rrymës do të rrisë menjëherë shpenzimet e bizneseve, veçanërisht atyre prodhuese që varen drejtpërdrejt nga energjia elektrike.
Sipas tij, bizneset me marzhe të ulëta fitimi nuk kanë kapacitete financiare për ta përballuar këtë barrë shtesë pa e transferuar atë te konsumatori.
Mulaj paralajmëron se kjo rritje mund të ndikojë edhe në rritjen e inflacionit dhe dobësimin e fuqisë blerëse të qytetarëve, duke e cilësuar situatën si rrezik për stabilitetin ekonomik.
Profesori dhe eksperti i ekonomisë, Shkumbin Misini, thotë se rritja e çmimit të rrymës i bën bizneset më pak konkurruese, duke i detyruar ato të rrisin çmimet e produkteve të tyre.
Ai shton se kostoja shtesë në fund bartet te konsumatori, duke favorizuar produktet e importuara në dëm të atyre vendore.
Duke folur për ndikimin afatmesëm dhe afatgjatë, Misini thotë se kjo rritje potenciale e gërryen fuqinë blerëse dhe i shtyn bizneset të transferohen në tregje të tjera në Ballkan.
/Front Online



