Home / Lajme / Kosova / ZRRE: Ende pa vendim për shtrenjtimin e energjisë elektrike për konsumatorët

ZRRE: Ende pa vendim për shtrenjtimin e energjisë elektrike për konsumatorët

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka sqaruar se deri më tani nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar për shtrenjtimin e energjisë elektrike për konsumatorët në Kosovë, duke hedhur poshtë interpretimet se rritja e çmimit është tashmë e konfirmuar.

Sipas ZRRE-së, informacionet e publikuara së fundmi kanë të bëjnë vetëm me tarifat në bursën ndërkombëtare të energjisë elektrike (ALPEX) dhe nuk ndërlidhen drejtpërdrejt me tarifat e operatorëve lokalë, si KOSTT, KEDS dhe KESCO.

ZRRE bën të ditur se aplikimet për rritje tarifash nga operatorët lokalë janë ende në fazën e shqyrtimit, ndërsa vendimi përfundimtar për tarifat e reja të energjisë elektrike për të gjithë kategoritë e konsumatorëve pritet të merret gjatë muajit mars.

Nëse miratohet rritja, qytetarët pritet që faturat me tarifa të reja t’i marrin nga muaji prill.

Ndërkohë, furnizuesi KESCO ka kërkuar një rritje të çmimit prej 21 për qind, duke e arsyetuar pjesërisht këtë kërkesë me rritjen e pagës minimale dhe kostot shtesë operative.

ZRRE thekson se procesi i vendimmarrjes do të zhvillohet në përputhje me kornizën ligjore dhe pas analizimit të plotë të aplikimeve, duke marrë parasysh interesin e konsumatorëve dhe qëndrueshmërinë e sektorit energjetik.