Home / Lajme / Kosova / ENTSO-E me “task-forcë” për Kosovën, si u vu në rrezik “pavarësia energjetike” në vitin 2023?

ENTSO-E me “task-forcë” për Kosovën, si u vu në rrezik “pavarësia energjetike” në vitin 2023?

Marrëveshja e Kyçjes me ENTSO-E ishte vënë seriozisht në rrezik gjatë vitit 2023. Shkak u bënë devijimet e larta që Kosova shkaktoi në rrjetin interkonektiv evropian. Një letër e KOSTT-it drejtuar Kuvendit të Kosovës zbulon prapaskenat e diskutimeve me ENTSO-E.

Kosova shumë lehtë ka mundur të përjashtohet nga njëra prej marrëveshjeve më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e energjetikës. E njohur si ‘Marrëveshja e Kyçjes me ENTSO-E’, ishte vënë seriozisht në rrezik gjatë vitit 2023. Shkak u bënë devijimet e larta që operatorët e Kosovës shkaktuan në rrjetin interkonektiv evropian, si dhe faturat e papaguara ndaj ENTSO-E për energjinë e shpenzuar në komunat veriore.

Kosova ka nënshkruar Marrëveshjen e Kyçjes me ENTSO-E në vitin 2020. Ky akt përfaqëson një fazë paraprake drejt anëtarësimit të plotë në këtë organizatë që është përgjegjëse për operatorët e transmetimit në nivel evropian.

Përmes kësaj marrëveshjeje, Kosova është shkëputur nga ndikimi i Serbisë në energjetikë, duke iu bashkuar bllokut rregullues me Shqipërinë dhe duke e bërë KOSTT-in e Kosovës zotërues dhe operator të pavarur të linjave të transmetimit edhe në aspektin ndërkombëtar.

Por, tri vite pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, në vitin 2023, për pak sa nuk kishte ndodhur përjashtimi i Kosovës. Një situatë e tillë do të përbënte cënim të ‘pavarësisë energjetike’, pasi do ta kthente Kosovën si pjesë të bllokut rregullues serb.

Këto detaje dhe të tjera dalin nga një letër e KOSTT-it që i kishte shkuar Kuvendit të Kosovës më 29 shtator të vitit 2023. Letra zbardh prapaskenat e diskutimeve mes përfaqësuesve të Kosovës dhe atyre të ENTSO-E, në një mbledhje të mbajtur më 26 korrik të po atij viti.

Në letër thuhet se marrëveshja me ENTSO-E është vënë seriozisht në rrezik për shkak të devijimeve të mëdha nga ana e Kosovës, dhe mos pagesës së faturave nga ana e KOSTT ndaj JAO, agjencisë që faturon shpenzimet për balancimin e energjisë.

Në rastet më të shumta kur shkakton devijime në rrjetin interkonektiv evropian,  Kosova tërheq më shumë energji elektrike nga rrjeti, se sa që ka paguar për të. Kjo ndodhë kur prodhimi i energjisë elektrike është më i vogël se konsumi, dhe kur diferenca nuk kontraktohet nga importi. Por në rastin e vitit 2023, arsye ishte edhe rryma e shpenzuar në komunat veriore, e cila për shkak të mos pagesës nga banorët atje, është trajtuar si energji e humbur. Përgjegjëse për mbulimin e kostos për këtë energji ka qenë KOSTT, por kjo e fundit i vonoi pagesat e faturave ndaj ENTSO-E për rrymën e shpenzuar në veri.

Në letrën e KOSTT-it citohen përfaqësuesit e ENTSO-E. Sipas tyre, “këto vonesa po krijojnë vështirësi financiare për të gjithë operatorët evropianë të transmetimit, të cilët kanë obligim të rimbursojnë pagesat për palët tregtare brenda afateve të tyre”.

Në këtë mbledhje madje u vendos për krijimin e një Task Force (TF) ndaj Kosovës me pjesëmarrjen e operatorëve të transmetimit nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Shqipëria. Qëllimi i kësaj Task Force thuhet se është mbrojtja e TSO-ve evropiane nga sjelljet e KOSTT-it, përmes aplikimit të kufizimeve teknike në tregtinë ndërkufitare të energjisë dhe hapjes së mundshme të procedurave ligjore (dispute) ndaj Kosovës.

Sipas KOSTT-it, një skenar i tillë do të cënonte drejtpërdrejt funksionimin dhe pavarësinë energjetike të Republikës së Kosovës.

“Në rast se ENTSO-E vendos masa kufizuese ndaj Kosovës, këto masa do të rrezikonin seriozisht: Sigurinë e furnizimit me energji elektrike në vend; Operimin e bllokut (Shqipëri–Kosovë); Shkëmbimin e rezervave balancuese KOSTT-OST; Shkëmbimin e energjisë KEK-KESH”, thuhet në letër.

Nga viti 2023, situata ka ndryshuar vetëm sa i përket rrymës së shpenzuar në komunat veriore, e cila ka filluar të faturohet. Deri vonë, mospagesa e energjisë nga banorët në veri është trajtuar si energji e humbur (devijim), duke i shkaktuar Kosovës shumë probleme me ENTSO-E.

Megjithatë, situatë e ngjashme mbetet edhe sot sa i përket devijimeve që operatorët e Kosovës shkaktojnë në rrjetin intekonektiv evropian. Muajin e kaluar, KOSTT në dy raste paralajmëroi për rrezikun e devijimeve nga KESCO – kompania përgjegjëse për furnizimin e qytetarëve të Kosovës me energji elektrike.

Gjatë muajit janar 2026, në dy raste KESCO shkaktoi devijime në rrjetin interkonektiv evropian në nivele të papara më parë. Përkundër parashikimit që e kishte, KESCO kishte nominuar më pak energji, duke bërë që devijimi në orë të caktuara të shkojë deri në 260 MWh.

“Këto devijime po ndikojnë negativisht në rrjetin interkonektiv evropian, rrisin ndjeshëm rrezikun për stabilitetin e sistemit dhe mund të sjellin pasoja serioze për KOSTT-in, përfshirë masa ndëshkuese dhe rrezikim të Marrëveshjes së Kyçjes me ENTSO-E”, thuhej në njoftimin e KOSTT-it.

Në paralajmërimin e KOSTT, u tha se në këto rrethana, për të garantuar funksionimin e sigurt të sistemit elektroenergjetik dhe për të mbrojtur integritetin e rrjetit, “KOSTT detyrohet të aplikojë kufizimin e ngarkesës (reduktime), sipas nevojës dhe në përputhje me përgjegjësitë ligjore dhe operative.”

Sipas hulumtimit të publikuar në Buletini Ekonomik, krahas KESCO-s, devijime apo jo balanca të energjisë elektrike shpesh shkakton edhe Korporata Energjetike e Kosovës (KEK). KEK-u devijimet i shkakton nga rënia e paparashikuar e blloqeve, ose në rastet kur mbiprodhon, duke shtuar më shumë energji në rrjet.

Nga hulumtimi del se edhe KESCO edhe KEK-u, në shumë raste shkaktojnë devijime edhe me qëllim. KESCO, sepse duke e parashikuar më pak konsumin, i shmang blerjet e energjisë elektrike nga importi për atë ditë, duke ia lënë “barrën e importit” KOSTT-it, por tash si devijim. Nga kjo, sipas gjetjeve nga hulumtimi, KESCO përfiton në dy kahje: e para sepse fatura që i vjen për devijimet është më e lirë se “fatura” sikur të kishte blerë energji nga importi; dhe e dyta, nga kjo KESCO përfiton edhe në kohë, duke ia vonuar pagesat e faturave KOSTT-it për devijimet që ka shkaktuar. Rreth 20 milionë euro është aktualisht borxhi i KESCO-s ndaj KOSTT-it për devijimet e energjisë.

Nga ana tjetër, KEK-u shkakton devijime me qëllim kryesisht kur shton në sistem më shumë energji se që ka nominuar një ditë më herët. Në këto raste, KEK për këtë energji si mbiprodhim, paguhet me çmim të bursës, që është katërfish më e shtrenjtë se çmimi i fiksuar prej 29.50 euro për megavat/orë për energjinë që e shet për KESCO-n.

Devijime jo pa ndikim shkaktojnë edhe prodhuesit e energjisë së ripërtëritshme. Edhe këto për shkak të rregullativës ligjore që i favorizon në raport me konsumatorët, KOSTT është e obliguar t’ua blejë edhe energjinë elektrike si devijim. /Buletini Ekonomik