Home / Lajme / Kosova / INDEP kërkon nga ZRRE mbrojtje reale të konsumatorëve në procesin tarifor

INDEP kërkon nga ZRRE mbrojtje reale të konsumatorëve në procesin tarifor

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka bërë thirrje që Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) të sigurojë mbrojtje reale të konsumatorëve gjatë procesit të përcaktimit të tarifave të energjisë elektrike për periudhën e ardhshme rregullative.

Reagimi i INDEP vjen në një fazë të hershme të procesit tarifor, pasi ndërmarrjet energjetike kanë dorëzuar kërkesat për Hyrat Maksimale të Lejuara, ndërsa ZRRE pritet të hapë konsultimin publik për tarifat e reja.

Sipas INDEP-it, shqyrtimi i kërkesave tarifore duhet të bëhet me kujdes të shtuar dhe në përputhje të plotë me parimin e mbrojtjes së konsumatorëve, duke shmangur përfshirjen e kostove të pajustifikuara që nuk lidhen drejtpërdrejt me ofrimin e shërbimit, por me dështime në planifikim, menaxhim apo operim të ndërmarrjeve energjetike.

Instituti ka veçuar rastet kur furnizuesi nuk ka nominuar sasi të mjaftueshme të energjisë elektrike, çka, sipas INDEP-it, ka rezultuar në ndërprerje të furnizimit për konsumatorët. Këto ndërprerje, theksohet më tej, përfaqësojnë një dështim serioz të shërbimit dhe nuk mund të trajtohen si raste të izoluara, por duhet të adresohen përmes mekanizmave të përgjegjësisë dhe kompensimit të konsumatorëve të prekur.

INDEP po ashtu ka ngritur shqetësime lidhur me prodhimin vendor, duke vlerësuar se në rastet kur Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) nuk arrin të realizojë prodhimin e planifikuar dhe si pasojë lind nevoja për importe me çmime të larta, rreziku financiar për sasinë e paprodhuar nuk duhet të bartet te konsumatorët përmes tarifave. Sipas institutit, ky rrezik i takon ndërmarrjes që nuk ka përmbushur obligimet e saj operacionale.

Në reagim, INDEP i ka bërë thirrje ZRRE-së që gjatë shqyrtimit të Hyrave Maksimale të Lejuara dhe vendimmarrjes tarifore të aplikojë një qasje rigoroze rregullatore, të bazuar në analizë kritike të kostove, ndarje të qartë të përgjegjësive dhe mbrojtje efektive të interesit publik.

Instituti ka paralajmëruar se do të marrë pjesë aktive në të gjitha fazat e konsultimit publik, duke ofruar komente dhe analiza profesionale, ndërsa ka shprehur pritjen që këto kontribute të merren seriozisht në konsideratë nga rregullatori.

Sipas INDEP-it, gjatë vitit tarifor që po përmbyllet, qytetarët janë përballur me pasiguri në furnizim, reduktime, cilësi të dobët të shërbimit në disa zona dhe shkelje të shpeshta të të drejtave konsumatore, çka, sipas tyre, kërkon që përgjegjësia të adresohet përpara çdo vendimi për rritje të tarifave.