Home / Lajme / Rajoni / Integrimi i tregut të energjisë: Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor përfitojnë nga lidhja me tregun e BE-së

Integrimi i tregut të energjisë: Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor përfitojnë nga lidhja me tregun e BE-së

Shqipëria renditet ndër vendet më të avancuara të Ballkanit Perëndimor në orientimin e sektorit energjetik drejt Bashkimit Evropian, krahas Malit të Zi. Thellimi i integrimit të tregut të energjisë elektrike mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor pritet të sjellë përfitime të shumëfishta ekonomike, mjedisore dhe gjeopolitike, me ndikim më të madh relativ për rajonin sesa për vetë BE-në, për shkak të madhësisë së vogël dhe mungesës së likuiditetit të tregjeve energjetike rajonale.

Sipas raportit të Bruegel mbi sektorin e energjisë në Ballkanin Perëndimor, për Shqipërinë, e cila ka kapacitete të mëdha hidrike dhe potencial të pashfrytëzuar diellor e të erës, lidhja e tregut do të nënkuptonte përdorim më efikas të burimeve të rinovueshme, ulje të varësisë nga lëndët fosile dhe rritje të sigurisë së furnizimit. Integrimi rajonal dhe evropian do të zvogëlonte nevojën për investime të kushtueshme në kapacitete rezervë, veçanërisht e rëndësishme për Ballkanin Perëndimor, që mbetet prapa në zhvillimin e magazinimit të energjisë.

Në shkallë rajonale, një treg më i madh energjetik do të amortizonte luhatjet e çmimeve dhe do të rriste konkurrencën, duke ulur kostot dhe çmimet e energjisë elektrike. Kjo është veçanërisht e rëndësishme, pasi çmimet e energjisë në Ballkanin Perëndimor janë ndër më të lartat në Europë. Ulja e çmimeve do ta bënte rajonin më konkurrues ekonomikisht, ndërsa konkurrenca do të nxiste edhe zgjidhje të reja teknologjike në sektorin energjetik.

Përafrimi me kuadrin rregullator të BE-së do të sillte gjithashtu kohezion më të madh rajonal, duke adresuar fragmentimin aktual të rregullave. Sektori energjetik, i cili dominohet nga ndërmarrje shtetërore me teknologji të vjetëruar dhe subvencione të vazhdueshme të çmimeve për konsumatorët, thekson raporti, do të bëhej më tërheqës për investime të huaja direkte në energjinë e rinovueshme dhe në operatorët e shpërndarjes.

Një përfitim kyç i lidhjes së tregut është shmangia e Mekanizmit të Rregullimit të Kufirit të Karbonit (CBAM) për eksportet e energjisë elektrike, i cili do të zbatohet plotësisht në vitin 2026. Kostot e CBAM për Ballkanin Perëndimor pritet të jenë të larta për shkak të përdorimit të gjerë të linjitit (qymyrit kafe) në prodhimin e energjisë. Me futjen e një skeme tregtimi emisionesh (ETS) për energjinë elektrike, me çmim karboni të barabartë me atë të BE-së (rreth 80 €/tCO₂), rajoni do të shmangte këto kosto dhe do të rriste potencialin eksportues, duke qenë aktualisht eksportues neto i energjisë.

Përdorimi i qymyrit në Ballkani Perëndimor qëndron shumë mbi mesataren e BE-së, por njëkohësisht disponon potencial të konsiderueshëm hidro, të erës dhe diellor. Integrimi i tregjeve do t’u lejonte vendeve të varura nga termocentralet me qymyr të importojnë energji të rinovueshme nga e gjithë Evropa, ndërsa një treg i zgjeruar do të lehtësonte ndërtimin e kapaciteteve të reja aty ku potenciali është më i madh. Rajoni ka potencial të lartë diellor, i tejkaluar në Evropë vetëm nga Portugalia, Spanja, Malta, Greqia dhe Qiproja.

Shmangia e varësisë nga gazi rus 

Nga këndvështrimi gjeopolitik, lidhja e tregut do të reduktonte varësinë e Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës nga Rusia dhe do të zvogëlonte rrezikun e presionit energjetik. Deri në vitin 2022, vetëm Serbia, Bosnjë-Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut importonin gaz rus; Maqedonia e Veriut e ka zëvendësuar atë me gaz nga Azerbajxhani. BE-ja planifikon të heqë plotësisht gazin rus deri në vitin 2028, duke e bërë të domosdoshëm riorientimin e rajonit drejt burimeve të tjera dhe energjisë së pastër.

Megjithatë, arritja e lidhjes së plotë të tregut deri në vitin 2027 vlerësohet jorealiste, për shkak të ritmit të pabarabartë të reformave dhe kapaciteteve të kufizuara institucionale. Vetëm Mali i Zi ka aktualisht një ETS, me çmim karboni 24 €/tCO₂, shumë më i ulët se niveli i BE-së. Për të përshpejtuar reformat, kërkohet mbështetje shtesë financiare nga Instrumenti i Para-Anëtarësimit (IPA), e lidhur me kushte strategjike dhe tregues performance për liberalizimin e tregut të energjisë dhe çmimin e karbonit. Kjo mbështetje duhet të jetë shtesë ndaj Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili parashikon 6 miliardë euro, por konsiderohet modest për nevojat e rajonit.

Një prioritet tjetër mbetet dalja nga qymyri. Vetëm Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë parashikuar afate të qarta në planet e tyre kombëtare të energjisë dhe klimës (NECP), ndërsa Kosova, Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina ende jo. Zbatimi i Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor 2025-2030 ofron një kornizë konkrete veprimi, veçanërisht për energjinë e rinovueshme dhe çmimin e karbonit.

Ballkani Perëndimor ndodhet në një fazë kyçe tranzicioni: largimit nga varësia ruse, afrimit me BE-në përmes lidhjes së tregut të energjisë dhe përshpejtimit të tranzicionit të gjelbër. Mbështetja e BE-së në financa, teknologji dhe kapital njerëzor, si dhe rritja e investimeve direkte evropiane në sektorin energjetik, janë vendimtare për të shfrytëzuar plotësisht potencialin e rajonit, përfundon raporti/ekofin.al