Home / Lajme / Rajoni / KESH-i në janar realizon rreth 14 milionë euro nga eksporti i energjisë elektrike

KESH-i në janar realizon rreth 14 milionë euro nga eksporti i energjisë elektrike

Teksa prurjet në Kaskadën e Drinit shënuan nivele të larta si rrjedhojë e reshjeve të javëve të fundit, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka zhvilluar disa procedura shitjeje, duke gjeneruar të ardhura për kompaninë.

Sipas të dhënave të publikuara nga KESH, në total janë zhvilluar 5 procedura shitjeje, përmes të cilave janë shitur rreth 180 mijë mWh energji, me çmime që variojnë nga 34.64 euro/mËh, që është më i ulti, në 109.75 euro/mWh, që është çmim më i lartë. Çmimi mesatar rezulton në 71.4 euro/mWh, ndërkohë që në total janë siguruar gati 14 milionë euro.

Procedurat e zhvilluara deri më tani paraqesin një kontrast të fortë me vitin e kaluar, që nuk ishte i mirë nga pikëpamja e energjisë elektrike, raporton Scantv. Kjo për shkak të mungesës së reshjeve, që do të mundësonin prodhimin në hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës, duke detyruar Korporatën të zhvillonte dhjetra procedura blerje energjie, me qëllim plotësimin e nevojave konsumatore. Kjo bëri që fatura totale për import energjie të shkonte në mbi 160 milionë euro, duke nxjerrë edhe njëherë në pah rëndësinë që ka diversifikimi i burimeve të prodhimit të energjisë. Kjo pasi aktualisht, pjesa më e madhe gjenerohet nga hidrocentralet dhe vetëm një pjesë vogël ka centralet diellore.

Më konkretisht, rreth 94% e energjisë totale prodhohet nga hidrocentralet e Kaskadës së Drinit, ato private dhe koncesionare, ndërsa 6% gjenerohet nga centralet fotovoltaike që janë në prodhim.