Krerë të shtetit, institucioneve, ambasadorë, investitorë të huaj e përfaqësues të bizneseve janë mbledhur në Prishtinë në organizimin “French Business Day” të Këshillit të Investitorëve Evropianë.
Me këtë rast, kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se Kosova është vend ku të tjerët investojnë dhe fitojnë. Ai tha se Kosova është e hapur për investime serioze.
Kurti potencoi se janë duke mbështetur ekonominë, teksa shtoi se në krahasim me katër vitet e kaluara numri i bizneseve me pronësi të huaj në Kosovë është rritur për 55 për qind.
“Nëse ka një fjalë që duhet të përkufizoj bashkëpunimin tonë sot, ajo është besimi. Besimi është avantazh ekonomik. Në një botë të paqëndrueshme, të ndikuara nga tensionet gjeopolitike, integriteti nuk është vetën përmbushje rregullash, por edhe konkurrueshmërinë.
Kosova është e gatshme për partneritete të mëdha infrastrukturore. Është e hapur për investime serioze dhe Kosova po zgjeron mundësitë tregtare me Evropën, rajonin dhe me gjerë”, ka deklaruar ai.
Tutje Kurti deklaroi se Kosova është vend i besueshëm për të bërë biznes.
“Vendi ynë është një shtet i konsoliduar me orientim të qartë evropian. Tani e kemi edhe stabilitetin institucional i cili dëshirohet nga bizneset. Kemi punuar për të forcuar sundimin e ligjit, për të ulur praktikat informale dhe për të krijuar në terren të barabartë. Ne besojmë se ligji na bën bashkë. Kosova po investon në infrastrukturë. Ajo shtyn përpara konkurrueshmërinë, sigurinë energjetike, logjistikën dhe sigurinë e jetesës. Ne duam ta bëjmë të bërit biznes më të lehtë dhe më të shpejtë. Në gjithë Evropën kompanitë kërkojnë besueshmëri. Kosova mund të jetë pjesë e kësaj zgjidhjeje të përbashkët”, shtoi ai.
Gjatë këtij organizimi bizneseve franceze iu bë thirrje për të investuar në Kosovë. /rtk



